Nga Gazeta ‘Si’- Bilanci i viktimave nga zjarri që shpërtheu në një vendpushim skish në veriperëndim të Turqisë është rritur, duke shkuar në 76 persona të pajetë dhe 51 të tjerë të plagosur.
Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se zjarri shpërtheu në restorantin e hotelit në vendpushimin e Kartalkaya në provincën Bolu, teksa njoftoi se e mërkura është shpallur ditë zie
“Tragjikisht, numri i përgjithshëm i të vdekurve pas incidentit është rritur në 76. Dhimbja jonë është e madhe”, tha Yerlikaya nga resorti Kartalkaya.
Sipas guvernatorit të Bolu, flakët u shfaqën fillimisht në katin e katërt të hotelit 11-katësh rreth orës 3:30 të mëngjesit.
Imazhet televizive treguan çatinë dhe katet e fundit të hotelit në flakë, me njerëzit që përpiqeshin të zbrisnin nga dhomat e tyre duke përdorur çarçafë për t’i shpëtuar zjarrit.
Autoritetet turke arrestuan të martën katër të dyshuar, përfshirë pronarin e hotelit. “Si pjesë e një hetimi të udhëhequr nga gjashtë prokurorë, katër persona përfshirë pronarin e hotelit u arrestuan”, tha ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunc në X.
Resorti që u përfshi nga flakët ndodhet në majë të një vargu malor rreth 170 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Ankara. Një pjesë e hotelit mbështetet në një shkëmb, gjë që e bëri më të vështirë për zjarrfikësit të shuajnë flakët.
Në kohën e shpërthimit të flakëve, 237 persona ishin duke qëndruar në hotel, sipas raporteve lokale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.