Shendet

Rriten rastet e difterisë tek azilkërkuesit në Britani

Numri i rasteve të difterisë (sëmundje ngjitëse që prek hundët dhe fytin dhe shpesh herë shkakton ulcera në lëkurë) në mesin e azilkërkuesve që kanë mbërritur së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në më shumë se 50, sipas BBC.

Kjo vjen pasi u konfirmua se një emigrant i cili vdiq pasi u mbajt në kampin Manston në Kent ishte infektuar me sëmundjen.

Ai vdiq në spital më 19 nëntor pasi hyri në Britani me një varkë të vogël.

Sipas NHS, difteria përhapet nga kolla dhe teshtima ose përmes kontaktit me dikë që është i infektuar dhe në raste të rënda mund të jetë fatale.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (HSA) thotë se nuk dihet nëse personat janë infektuar në kampe apo jo pasi rastet janë shtuar në mesin e azilkërkuesve në të gjithë Europën dhe disa njerëz raportuan simptoma përpara se të mbërrinin, dhe kështu mund të jenë infektuar në vendin e tyre.

Sidoqoftë, periudha e izolimit për sëmundjen është nga dy deri në pesë ditë, me një maksimum prej 10 ditësh, kështu që infeksionet në njerëzit që ishin në Manston ka të ngjarë të jenë të fundit.

Sipas një zëdhënësi të Home Office, testet spitalore tregojnë se “difteria mund të jetë shkaku i vdekjes së personit më 19 nëntor”.

Testet fillestare ishin negative dhe Zyra e Brendshme tha në atë kohë se nuk kishte “asnjë provë në këtë fazë” se personi kishte vdekur nga një sëmundje infektive. Por një test vijues PCR për difterinë ka rezultuar pozitiv.

Ndërkohë në Britani mjekët këshillojnë që tu bëhet vaksina të gjithë personave që mbërrijnë në kampe.

Kampi Manston u pastrua në fillim të këtij muaji pas raportimeve për mbipopullim dhe shpërthime sëmundjesh dhe zyrtarët janë të shqetësuar se mos personat që kanë pasur difterinë janë zhvendosur në të gjithë vendin.

Sunday Times raporton se Jim McManus, president i Shoqatës së Shëndetit Publik, tha se kjo ka vënë në rrezik azilkërkuesit dhe potencialisht punonjësit e kampeve.

Ai akuzoi gjithashtu Zyrën e Brendshme për një “mungesë koordinimi” që “e ka bërë situatën shumë më keq sesa mund të ishte”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë