Treg

Rriten pagesat e dëmeve nga sigurimi, por shifra ende larg shlyerjes së plotë

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare raporton se pagesat e dëmeve gjatë pesëmujorit të parë të vitit janë rritur me 3.73% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ato arritën në vlerën e gati 2,3 mln lekëve ose 400 mijë lekë më pak se primet e sigurimit vullnetar gjatë të njëjtës periudhë.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,319 milionë lekë, apo 56.33 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar – maj tregojnë lëvizje positive.

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për pesëmujroin e parë kapën vlerën mbi 6,755 milionë lekë, ose 7.61% më shumë se në periudhën janar - maj 2018. Gjatë periudhës janar – maj 2019, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 482,741 me një rritje 5.22% krahasuar me periudhën janar - maj 2018.

Sipas AMF-së, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.19 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e jetës me 7.23% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.57%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.25% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.75% të totalit të tregut.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar - maj 2019 arritën rreth 2,718 milionë lekë, 10.01% më shumë se në periudhën janar - maj 2018. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 2.22% krahasuar me periudhën janar - maj 2018.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar - maj 2019, patën rritje me 7.78% kundrejt periudhës janar - maj 2018.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar - maj 2019 siguruan mbi 1,008 milionë lekë të ardhura në total. Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 69.94%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 18.97% të totalit.

Në portofolin "sigurimi nga zjarri" dhe "forcat e natyrës", gjatë periudhës janar - maj 2019, vihet re një ulje prej 28.00% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 5.81% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - maj 2018.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar - maj 2019, arritën në rreth 578 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 0.95% në krahasim me periudhën janar - maj 2018.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar - maj 2019, arritën rreth 488 milionë lekë, ose 12.91% më shumë se në periudhën janar - maj 2018.
Tregu i sigurimeve në Shqipëri vazhdon të jetë i brishtë edhe pse eksperienca gati 20-vjeçare ka sjellë shumë ndryshime në të.

Nga njëra anë kompanitë e sigurimit ngrenë zërin për një strategji konkrete, një plan zhvillimi apo një përgjegjësi për të ndryshuar këtë industri, nga ana tjetër janë këto kompani sigurimi që u detyrohen më shumë se 1 mld e gjysmë lekë qytetarëve të siguruar për dëmet e papagauara.

Trendi i raportit Dëme Prime Neto në 10 vitet e fundit nga 2008-a për sigurimet jo-jetë nuk i afrohet në asnjë rast 50 përqindëshit dhe është shumë i luhatshëm.

Sipas statistikave që disponojmë nga Drejtoria e Statistikave në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare, viti me raportin më të lartë Dëme Prime Neto për sigurim jo jetë rezulton viti 2013 me 49, 87% dhe raporti më i ulët është shënuar në 2008-ën me 25.70 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë