Biznes

Rriten kostot/ Turistët shpenzuan më shumë para në Shqipëri këtë vit

Nga Gazeta ‘SI’ – Nga janari në mars, turistët kanë shpenzuar në Shqipëri 847 milionë euro, raporton Banka e Shqipërisë.

Për të njëjtën periudhë, në Shqipëri hynë 1.63 mln turistë, sipas INSTAT. Me një përllogaritje, çdo turist ka shpenzuar mesatarisht 537 euro gjatë qëndrimit në Shqipëri. Një vit më parë ata shpenzonin mesatarisht 513 euro.

Kjo është vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë, edhe pse ritmi rritës shfaqet më i ngadalësuar. Një tendencë e tillë do të vazhdojë dhe për sezonet e ardhshme, të paktën sipas një parashikimi nga Komisioni Europian. Në raportin e vjeshtës, KE thekson se Shqipëria nuk pritet të ketë më rritje domethënëse të turistëve si në vitet e shkuara dhe do të ketë një reduktim të konsumit privat dhe publik.

Një studim i kryer nga qendra ALTAX, gjeti se Shqipëria ka kostot më të larta në rajon për turistët, për shkak të informalitetit të lartë dhe kostove të rritura të jetesës.

Sipas llogaritjeve nga Banka Botërore, e përafruar edhe nga llogaritjet e ekspertëve tanë vlerësohet se, në vitet e fundit afër 30% e buxhetit që shpenzon një vizitor i huaj për pushime në vendet ballkanike i përket bizneseve partnere me kapital të huaj. Ndërkohë, nga pjesa tjetër prej 70% e buxhetit që shpenzon çdo vizitor që hyn në këto vende, më shumë se gjysma e saj shkon për bizneset e mesme dhe të mëdha të vendit që kanë investuar në aktivitetet kryesore të industrisë së turizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë