Treg

Rriten kontribuuesit e pensioneve në shtet. Ulet deficiti

Nga Gazeta ‘SI’ – Numri i kontribuuesve në skemën e pensioneve është përmirësuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, duke arritur në 789 mijë anëtarë. Në 6 muaj u shtuan 36.802 kontribuues të rinj, ndikuar më së shumti nga futja e fermerëve.

Privati mban më shumë se gjysmën e kësaj skeme, 64%, sipas shifrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Lidhur me rritjen e kontribuuesve, ministria e Financave raporton një ulje të deficitit të skemës, në 23% nga 31% që ishte një vit më parë. Pra, është ulur pjesa e mbuluar nga buxheti i shtetit dhe është rritur mbulimi nga të ardhurat.  

Efekt në këtë rritje duket të ketë dhe rritja e pagës minimale, nga 34 në 40 mijë lekë.

Të dhënat nga MFE tregojnë se të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 79.7 miliardë lekë, 11.7 miliardë lekë ose 17.2% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe realizim 110.5 % të planit për 7 mujorin 2023.

Mbulimi i skemës së pensionve qe për pak kohë një ndër shqetësimet kryesore të qeverisë, lidhur me rritjen e popullsisë se moshuar dhe pakësimin/largimin e të rinjve si kontribuues në tregun e punës. Prej disa kohës, skema po mbahej kryesisht nga subvencioni i shtetit. Nga kjo krizë doli dhe nisma për të zhvilluar më tej pensionet private.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë