Shendet

Rriten kërkesat për defribilatorin në zemër, kardiologët: Janë shtuar kontrollet, por dhe ataket kardiake

Nga Gazeta Si – Shqipëria regjistron vit pas viti rritje të numrit të kërkesave për vendosjen e defribilatorit të implantueshëm ICD që e ruan pacientin nga ataku kardiak.

Mjeku kardiolog në Spitalin Amerikan Gerti Knuti, në një prononcim për Gazetasi.al, thotë se kërkesat janë në rritje për ICD jo vetëm për rritjen e sëmundshmërisë, por dhe kryerjen e diagnostikimeve si dhe nevoja për standard në trajtim.

Sipas kardiologut Knuti, prej 15 vitesh, në vend aplikohet ndërhyrja kirurgjikale për vendosjen e defribilatorit, në sistemin publik dhe privat.

Mjeku kardiolog Gerti Knuti

Knuti thotë se nevojat për defibrillator janë më të mëdha se kapacitetet spitalore në publik, pavarësisht se numri i implanteve të realizuara në QSUT është në rritje çdo vit, por qendra më e madhe spitalore në vend nuk plotëson dot për të gjithë pacientët që plotësojnë kriteret për vendosjen e ICD.

Defribilatori kosto mbi 18 mijë euro, kush e përfiton

Kardiologu Knuti, referuar rastit të vdekjes së futbollistit ganez në stadiumin Rafael Dwamena thotë se për vendosjen apo heqjen e defribilatorit të implantueshëm ka kritere.

“Në rastet e vendosjes së tij, përdoret një kriter seleksionimi mbi pritshmëritë e sëmundjes në kuadrin e jetëgjatësisë dhe kualitetit të jetës si dhe mosha e pacientit.

Kjo është diçka që ndodh edhe në vendet e rajonit pasi kjo paisje ka kosto të lartë ekonomike.

Edhe në sistemin privat është e njëjta gjë në varësi të kompleksitetit të pajisjes, pasi janë disa tipe të saj me një kosto nga 18-22 mijë euro”, thotë për Gazetasi.al, kardiologu Gerti Knuti.

Sipas tij, pacienti me ICD nuk privohet nga asgjë në jetën e tij të përditshme dhe në shumicën e aktiviteteve të profesioneve të ndryshme.

“Momenti i shkarkimit të defibrilatorit është një ndjesi jo e pëlqyeshme, gjithsesi që zgjat pak sekonda. Për profesionet që lidhen me procese që kërkojnë precizion të lartë dhe sensibilitet të lartë në popullatë, është më mirë që pacientët ti evitojnë”, thotë mjeku kardiolog Knuti.

Cili është roli i defribilatorit ICD?

ICD është një pajisje e implantuar intrakardiake që detekton dhe më pas rekuperon aritmitë vdekjeprurëse që pëson një pacient që vuan nga një patologji aritmogjene.

Mjekët kardiologë thonë se si rasti i futbollistit që vdiq në fushën e lojës, ka patur dhe më parë.

 Sipas tyre, nëse rekomandohet implantimi i defribilatorit është i padiskutueshëm dhe rikontrollet për mirëfunksionimin e tij janë mëse të domosdoshme.

“Tek kontigjenti i riskuar, një pajisje e tillë konsiderohet fat për ata që kanë të mundur të kenë një ICD”, thonë mjekët.

Sëmundshmëria në rritje, shtohen sulmet kardiake tek të rinjtë

Në vendin tonë, nga viti në vit numërohen shifra në rritje të rasteve të sëmundjeve të zemrës ku infarktet apo goditjet cerebrale janë më të shpeshtat.

Sipas statistikave të fundit, 54 për qind e humbjeve të jetës në Shqipëri ndodhin për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, sikurse janë infarktet apo insultet cerebrale.

Mjekët kardiologë bëjnë thirrje për kontrolle të vazhdueshme të presionit të gjakut, të sheqerit në gjak, aritmisë, sëmundjeve koronare pasi 30 % e sëmundjeve të zemrës mund të parandalohen.

Nga të dhënat jo zyrtare thuhet se kolesteroli shihet tek afro 1.4 milionë shqiptarë, ndaj mjekët sugjerojnë që fëmijët, prindërit e të cilëve mjekohen për kolesterolin duhet të kontrollohen për të shmangur problemet kardiake.

Mjekët rekomandojnë kontrolle që në moshë të vogël, për të kontrolluar trashëgiminë e sëmundjes nga prindërit tek fëmijët, pasi sipas tyre, pllaka që bllokon enët kërkon 2 apo 3 dekada të krijohet.

Mjekët sugjerojnë se ndryshimi i stilit të jetesës, shtimi i aktivitetit fizik, eliminimi i duhanit, alkoolit si dhe substancat narkotike janë një mënyrë e mirë për të evidentuar problemet me zemrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë