Treg

Shtrenjtohet prodhimi vendas, më i lirë importi

Në çmime, tremujori i dytë i këtij viti ishte favorizues për prodhimin vendas  në raport me importin. Sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 103,5, duke u rritur me 2,4 %, në krahasim me tremujorin e dytë të 2017-ës dhe 0,2 me tremujorin e parë. Ndërsa, Indeksi i Çmimeve të Importit,  në  të  njëjtën periudhë  u ul me 1,2 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017, dhe me -1,2 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018.

Rritjen më të madhe të çmimeve e pati prodhimi në “Industri nxjerrëse” me 17,5 %. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror. Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 100,9, duke u rritur me 1,2 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017

Çmimet e importit të produkteve në aktivitetet e industrisë përpunuese, e cila zë peshën më të madhe në Indeksin e Çmimeve të Importit, kanë shënuar ulje me 0,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë çmimet e importit të produkteve në aktivitetet ”Përpunimi i produkteve ushqimore”, “Prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure”.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2017, çmimet e importit të produkteve në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” kanë shënuar rritje me 2,7 %.

Referuar të njëjtës periudhë krahasimi çmimet e importit në seksionin “Industria Përpunuese”, e cila zë peshën më të madhe në Indeksin e Çmimeve të Importit, kanë shënuar ulje me 0,3 %.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë