Politike

Rrëzohet me debate dekreti i Akademisë së Shkencave. Fuga: Të shpërndahet Parlamenti

Komisioni Parlamentar i Medias ka rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta, i cili ka kthyer mbrapsht ligjin “Për Akademinë e Shkencave”. E vetmja votë pro dekretit të Metës për rishqyrtimin e projektligjit për Akademinë e Shkencave ishte ajo e kryetares së Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri. Gjithsej ishin 12 deputetë që votuan për rrëzimin e dekretit.
Mbledhja nuk kaloi pa debate mes deputetëve. Fidel Ylli duke iu drejtuar kryetares së komisionit kërkoi që të tregohet më shumë kujdes në diskutimet mbi akademikët. “Zonja kryetare ju them me shumë përgjegjësi që kriteret për t'u zgjedhur akademik janë kritere shumë të forta dhe njerëzit që e kanë fituar atë titull, mendoj se e meritojnë. Sa i përket asaj që ju thatë se zoti Gjinushi është akademik i kohës së komunizmit... mos e keni fjalën ndoshta edhe për zotin Omari dhe zotin Kadare? Duhet të futen të tre, se kanë qenë të kohës së komunizmit dhe nuk duhet të jenë akademikë? Nuk keni pse i ndani. Thuajeni që edhe zoti Kadare, që ne krenohemi për të për të marrë titullin atje që ka vite që pretendojnë të nderojë Shqipërinë me letërsinë që ai bën, ju tani i fusni të gjithë në bllok. Nuk duhet të ngatërrojmë. Shkencëtari është shkencëtar. Zoti Gjinushi ka qenë në politikë, por ka qenë edhe në koalicion me PD”, deklaroi socialisti Ylli.

Fidel Ylli, deputeti socialist në komisionin e Medias/ Foto Arkiv


Por kryekomisionerja Dhimitri u drejtua me shprehjen se “prapë politika do ta drejtojë Akademinë”.
Por deputeti replikoi sërish ndaj këtij qëndrimi duke theksuar se “kur të flasim për akademikët duhet të kemi kujdes. Unë e kam ngritur gjithmonë edhe kur kanë kërkuar ato buxhete që janë për lëmoshë dhe ato zyra që i kanë me qira. Shkoni shikoni zyrat e Akademisë së Shkencave të Kosovës që janë të njëjta si Ministria e Arsimit. Një shtet i sapokrijuar i jep rëndësi një institucioni si Akademia e Shkencave kurse ne jo vetëm që nuk u japim vëmendje, jo vetëm i kemi lënë në zyra me qira por mundohemi ti denigrojmë gjithmonë akademikët tanë. Mendoj se me ligjin e ri duhet ti japim vendin e merituar Akademisë së Shkencave”.

Nënkryetari i Akademisë, Vasil Tole u shpreh se në ASH duhet të ketë një hierarki në mënyrë që të mos vendos vetëm ajo për kërkimet, por një bashkëpunuese me ta. Kjo rrëzon, sipas Toles, edhe dekretin e Presidentit. Ndër të tjera ata u ndalën edhe tek gjuha shqipe ku sipas Presidencës nuk mund të merren vendime vetëm nga ASH. Ndërkohë për Tolen, ASH është e vetmja Akademi që duhet të merret ashtu siç ka bërë më parë.

Vasil Tole në komisionin e Medias


“Gjinushi është akademik para viteve 90 bashkë me Kadarenë dhe Omarin. Është atje për talentin qe ka bërë ne fushën e matematikës. Ai e zgjidhi çështjen që kur kandidoi në përfundim të procesit të reformës bëri atë procedurë që bëri, që Gjykata ka konfirmuar kur ai ka kandiduar në 10 maj, si kryetar i ASh ka qenë papajtueshmëri, ku nuk ishte kryetar i partisë i PSD-së” thekso Tole.

Gjinushi duke votuar në Akademinë e Shkencave

Pas këtij akti të komisionit ka reaguar edhe akademiku Artan Fuga, cili njihet si kundërshtar i hapur ligjit të Akademisë së Shkencave, por edhe i zgjedhjes së Gjinushit në krye të këtij institucioni. Në një reagim të ashpër ai thekson se ky Kuvend duhet shpërndarë një minutë e më parë, pasi po tregon papërgjegjshmëri parlamentare ! Me anë të një postimi në Facebook, Fuga shprehet se komisioni nuk thirri për konsultime akademikët pro dhe kundër këtij ligji.
“Kjo është kultura procedurale e parlamentit shqiptar? Ky është turp! Kjo më turpëron si qytetar! Deputetë që votojnë Kushtetutë, ligje që bien në kundërshtim me njeri tjetrin! Këto janë veprime që përbëjnë rrezik për shtetin! Të mos u kërkoj të mendojnë për shkencën dhe akademinë e shkencave! Do ishte pretendim i madh imi! Me këto mangësi : Këta duket sikur i thonë sovranit : A, ç'na çan kokën!!! Këta tallen me paratë tona! Këta nuk bëjnë detyrën për të cilën ne i paguajmë! Këta na sjellin pengesa në vend të vendosin shina ligjore për veprime të suksesshme! Këta nuk njohin as procedura as përgjegjësi para zgjedhësve! Ky Kuvend gjykoj më shumë sesa më parë duhet të shpërndahet sa më parë sepse çdo minutë e tij shkatërron institucionet, shpresat në të ardhmen, demokracinë, shtetin!”, shkruan Fuga.

Akademik Artan Fuga

Presidenti Meta kthimin e ligjit mbi Akademinë e Shkencave e bëri me 9 gusht duke dhënë 4 arsye kryesore sipas tij. Arsyeja e parë sipas Presidencës ishte se ligji bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cenon kompetencat e Presidentit të Republikës dhe nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.

“Akademia e Shkencave nuk mundet dhe, në fakt, nuk do duhej të trajtonte e vetme problematikat delikate të përshtatjes, unifikimit, ndryshimit të simbolit kryesor të identitetit të kombit tonë, me ndryshimet e vrullshme që jeta ka sjellë që nga kongresi i fundit gjuhësor i mbajtur në vitin 1972”, thuhej në dekret.

Ligji i miratuar në Kuvend detyron Presidentin që brenda 10 ditëve të kryejë emërimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave që i është propozuar. Për Metën kjo është antikushtetuese, pasi Kushtetuta nuk ka vendosur një afat të përcaktuar, brenda të cilit Presidenti i Republikës duhet të shprehet. Më 12 korrik Meta refuzoi dekretimin e Skënder Gjinushit në postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, ndërsa në 19 korrik Akademia deklaroi se do i ripropozojë kreut të shtetit dekretimin. Por Meta thotë se nuk mundet që një organ i Akademisë së Shkencave të shqyrtojë dhe të shprehet me vendim për Dekretet e Presidentit të Republikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë