Gazeta Si – Pak pas orës 16:00 sipas kohës shqiptare të hënën, një aeroplan ushtarak u rrëzua në Puerto Leguízamo, një komunë në Kolumbinë jugperëndimore, pranë kufirit me Perunë.
Të paktën 66 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Në bord ndodheshin 128 persona, përfshirë personel ushtarak dhe anëtarë të ekuipazhit.
Aeroplani ishte ngritur nga baza ushtarake aty pranë Caucayá dhe po shkonte drejt Puerto Asís, një qytet rreth 200 kilometra nga Puerto Leguízamo.
Përplasja shkaktoi një zjarr dhe shpërthimin e disa municioneve në bord. Menjëherë pas përplasjes, dhjetëra njerëz u mblodhën në vendngjarje.
Të parët që ofruan ndihmë ishin banorët e La Taguas, një fshat i vogël në veri të Puerto Leguízamos. Disa transportuan ujë në vendin ku avioni u përfshi nga flakët, duke udhëtuar kryesisht me anije, pasi zona është e pasur me rrugë ujore, por nuk ka rrugë të shtruara.
Të tjerë i shoqëruan të plagosurit në qendrat më të afërta mjekësore me motoçikleta, për ta bërë më të lehtë lundrimin në shtigjet e dheut.
Kryetari i bashkisë së Puerto Leguízamos, tha se strukturat shëndetësore të bashkisë (një spital i vogël dhe një klinikë e Marinës) u mbingarkuan brenda disa orësh.
Ministria e Mbrojtjes dërgoi aeroplanë me barela dhe mjekë për të transportuar të plagosurit në qytete të tjera, përfshirë kryeqytetin, Bogotá.
Shkaku i rrëzimit nuk dihet ende. Carlos Fernando Silva Rueda, komandant i Forcave Ajrore Kolumbiane, tha vetëm se aeroplani hasi një problem dhe u rrëzua menjëherë pas ngritjes.
Në një video të publikuar nga faqja e internetit kolumbiane, “Blu Radio” aeroplani mund të shihet duke u ngritur dhe duke filluar të humbasë lartësi disa sekonda më vonë.
Presidenti Gutavo Petro kritikoi opozitën në parlament për dështimin në miratimin e një projektligji që do të kishte ndarë më shumë fonde për mbrojtjen.
Pajisjet e Forcave Ajrore Kolumbiane janë mjaft të vjetruara: aeroplani, një C-130 Hercules i prodhuar në SHBA, u ndërtua në vitin 1983.
Ish-presidenti kolumbian, Iván Duque e bleu atë në vitin 2020. “Ata po blejnë mbeturina të pastra, të korruptuara për luftën. Pse nuk blenë një aeroplan të ri, ashtu siç blejnë makinat dhe apartamentet e tyre?” tha Petro, duke iu referuar paraardhësit të tij.
Aksidenti i të hënës nuk është i pari i këtij lloji që përfshin këtë avion në rajon. Në fund të shkurtit, një tjetër avion C-130 Hercules i Ushtrisë boliviane u rrëzua pranë La Paz, duke vrarë më shumë se 20 persona dhe duke plagosur 30 të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje