Bota

Bie avioni rus me 65 të burgosur ukrainas. Kievi: Kishte raketa 

Një avion rus me 74 persona në bord është rrëzuar ditën e sotme në rajonin e Belgorodit në kufi me Ukrainën. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes të cituar nga RIA Novosty, avioni mbante të burgosur ukrainas për një shkëmbim të të burgosurve në rajon.

Në njoftimin zyrtar të ministrisë ruse, sipas RIA, thuhet se rreth orës 11 të mëngjesit me orën e Moskës, një avion Il-76 u rrëzua gjatë një fluturimi të planifikuar në rajonin e Belgorodit. Avioni mbante 65 të burgosur ushtarakë ukrainas, gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre shoqërues, raportojnë mediat e huaja.

Avioni që u rrëzua është një Ilyushin Il-76 i cili për një arsye të panjohur humbi lartësinë dhe u rrëzua duke bërë që avioni 72 tonë të shndërrohej në një top zjarri.

Sipas mediave ndërkombëtare, deri tani janë dy versione. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se rreth orës 11 të mëngjesit me orën e Moskës, një Il-76 u rrëzua, ndërsa po bënte një fluturim të planifikuar në rajonin e Belgorodit; në bord - sipas Kremlinit - 65 ushtarë të forcave të armatosura ukrainase të destinuar për një shkëmbim të burgosurish, gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre shoqërues.

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, tha se ky është lajm i fundit dhe se po punohet për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.

“Nuk mund të komentoj, ky është informacion mjaft i freskët me të cilin po merremi”, u tha Peskov gazetarëve.

Guvernatori lokal i Belgorodit Vyacheslav Gladkov, foli për një "aksident" në rrethin Korochansky të rajonit, në veri-lindje të qytetit të Belgorodit dhe njoftoi se do të inspektonte skenën e tragjedisë, duke nënvizuar se të gjithë pasagjerët vdiqën, ndërsa faqja “Ukrainskaya Pravda”, duke cituar burime nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, shkruan se në bordin e Il-76 kishte një ngarkesë me raketa S-300.

Rajoni i Belgorodit, në kufi me Ukrainën, ka qenë shpesh nën sulm nga Ukraina gjatë muajve të fundit, më së fundi në dhjetor në një sulm me raketa që vrau 25 njerëz.

Dje, nga ana tjetër, Moska sulmoi lagjet e banuara të Kharkiv me një sulm të ri raketor që shkaktoi 18 të vdekur në të gjithë vendin, ndërsa ditët e fundit Kievi goditi një objektiv civil në Donetsk duke shkaktuar 27 viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë