Shendet

Rreziqet që sjell Botoksi nëse injektohet nga jo profesionistët

Nga Gazeta Si- “Qerpikë extension, microblading, botox, kurse individuale”. Është ky një njoftim i bërë në Instagram nga një parukiere- estetiste në Tiranë. Me një kurs që zgjat pak ditë (3-5 ditë), ajo ‘certifikon’ vajzat në fushat e lartpërmendura.

Dhe, për 5 ditë, një tjetër vajzë e gjen veten duke bërë Botoks në këtë ‘klinikë’ për 200-300 euro.

Bota prej kohësh po lobon për një rregull: Botoksin duhet ta injektojë një profesionist, i licensuar për të dhe të inspektohet nga Ministritë përkatëse.

Ndërkohë që qeveria britanike prej kohësh është në një debat publik pasi në 2023 ka nxjerrë një projektligj që ndalonte personat e palicensuar që të bëjnë Botoks, personat e përfshirë në industrinë fitimprurëse e panë këtë si një “gjuajtje nën brez”.

Sipas planeve të Britanisë, kushdo që bën Botox, injeksione për ngritjen e gjoksit ose të vitheve duhet të trajnohet dhe licencohet, me ambientet e tyre që gjithashtu do të inspektohen nga Ministria përkatëse.

Ndërsa në Itali, Ministria e Shëndetësisë ka autorizuar përdorimin e Botoksit vetëm nga kirurgë të specializuar në kirurgjinë plastike, dermatologji, neurologji dhe kirurgji maksilofaciale.

Sa i rrezikshëm është Botoksi kur aplikohet nga persona jo profesionist?

Si fillim, Botoksi duhet transportuar në mënyrë të rregullt, me akull, duhet mbajtur në frigoriferë specifikë. Në të kundërt, fuqia e toksinës mund të bjerë. Si rrjedhim është jo shumë i efektshëm në aplikim.

Së dyti, Europa dhe Amerika i kanë mëshuar prej vitesh rëndësisë që ka injektimi nga një profesionist.

Në prill 2024, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lëshoi një paralajmërim se 22 gra midis moshës 25 dhe 59 vjeç kishin raportuar “reaksione të dëmshme” pas aplikimit të Botoksit, kjo si pasojë e keqpërdorimit nga persona jo profesionistë.

11 njerëz u shtruan në spital për shkak të shqetësimeve të botulizmit, një gjendje ku toksina përhapet përtej zonës lokale dhe sulmon sistemin nervor qendror duke shkaktuar paralizë të muskujve, vështirësi në frymëmarrje dhe madje edhe vdekje.

Simptomat e raportuara përfshinin shikim të paqartë dhe të dyfishtë, vështirësi për të qëndruar zgjuar, vështirësi në gëlltitje, të folur të paqartë, vështirësi në frymëmarrje, lodhje dhe dobësi. Të 22 rastet ndodhën pasi gratë morën injeksione Botox nga njerëz të palicensuar ose të trajnuar në vende që nuk ishin mjedise të kujdesit shëndetësor.

Një studim i vitit 2023 zbuloi se 69% e të anketuarve në një anketë kishin përjetuar efekte negative afatgjata, si dhimbje, ankth dhe dhimbje koke nga Botox. Kishte gjithashtu pasoja të rënda psikologjike dhe emocionale për pacientët kur procedurat shkonin keq.

Disa studime kanë zbuluar se përdorimi afatgjatë kozmetik i toksinës botulinum (Botox) mund të shkaktojë ndryshime të përhershme në shprehjen e fytyrës, me personat që nuk janë më në gjendje të lëvizin muskujt e tyre të fytyrës.

Është madje e mundur që toksina e Botoksit mund të ‘shpëtojë’ nga vendndodhja e saj dhe të ‘udhëtojë’ në sistemin nervor qendror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë