Politike

Rrëzimi i dytë i Teatrit, Meta ua rikthen ligjin socialistëve

Bledar Hoti – Presidenti i Republikës ktheu për herë të dytë ligjin për ndërtimin e teatrit të ri në Tiranë, pavarësisht se maxhoranca kishte pretenduar se kreu i shtetit nuk kishte arsye që të kthente nismën, pasi ishte një pranim i kërkesave të dekretit të tij. Por në këtë përplasje të dytë Presidencë-Kuvend, Meta thotë se në ligjin e ri socialistët nuk kanë marrë parasysh shumicën dërrmuese të kërkesave të Presidentit. Në argumentimin e tij, kreu i shtetit e cilëson si një ligj të ri, pasi ka konstatuar ndryshime të përmbajtjes së neneve në krahasim me ligjin e parë.

Këtë kërkesë kishte edhe opozita, e cila pas votimit të 20 shtatorit i kërkoi Presidentit që të mos ta miratonte dhe ta kthente për rishqyrtim në Parlament, pasi në thelb ishte një nismë e re e ndërmarrë nga ana e maxhorancës socialiste.

“Pas vlerësimit dhe shqyrtimit të kësaj praktike parlamentare, Presidenti ka arritur në bindjen se nga një vështrim krahasues i të dy normave ligjore të miratuara nga Kuvendi, rezulton se ka ndryshime, në titullin e ligjit, si dhe në shumë nene të tjera të tij. Një ligj përveç elementëve identifikues të tij si numri, data, titulli, parashikon në përmbajtjen e tij objektin, qëllimin, procedurat dhe mjetet për zbatimin e tij. Ligji nr.37/2018 (dt 05.07.2018), kishte për objekt dhe qëllim përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt realizimin e projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, pa procedura konkurrimi, me një partner privat të përzgjedhur drejtpërdrejtë me ligj (shoqërinë Fusha shpk), ndërsa ligji i ri nr.37/2018 (dt 20.09.2018), parashikon dhe procesin e vlerësimit të çdo propozimi që mund të paraqitet nga palët private, si rezultat i zbatimit të procedurës së konkurrimit. Pra praktikisht jemi përpara një ligj të ri, i cili përcakton mjete dhe procedura të reja për realizimin e objektit dhe qëllimit të tij”, thuhet në argumentin presidentit që shoqëron dekretin për kthimin e ligjit.

Argumente të njëjta

Presidenti në dekretin e dytë shprehet se Kuvendi gjatë shqyrtimit të dekretit të parë nuk ka shqyrtuar 8 (tetë) nga 9 arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, dt 27.07.2018, duke shmangur kështu zgjidhjen e çështjes dhe duke krijuar sërish një normë të re ligjore antikushtetuese. Në këtë mënyrë rezulton se, veprimtaria e Kuvendit, është e pambështetur në ndonjë vlerësim tekniko-ligjor, për çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij. Kuvendi ka votuar sërish një projekt të ri ligjor, të pajustifikuar dhe që në realitet nuk ofron asnjë zgjidhje për problematikat kushtetuese të konstatuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij. “Kuvendi, me miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës, ka pranuar të gjitha arsyet që e shoqërojnë atë. Në këto kushte, do të duhej që Kuvendi ta rishqyrtonte në themel çdo çështje në mënyrë që, të gjitha konstatimet e Presidentit të gjenin zgjidhje kushtetuese, në funksion të interesit publik”, thuhet në argumentin e Metës. Edhe për kushtin e vetëm të plotësuar, ai garës në konkurrim të hapur, sipas kreut të shtetit ai është plotësuar në mënyrë jo të plotë dhe kundërshtim me Kushtetutën, pasi Fusha shpk mund të jetë favorizuar sërish në këtë proces konkurrimi, duke qenë si e paracaktuar si firmë fituese.

Presidenti Ilir Meta

“Gjithashtu është fakt i bërë publik, që në zonën e përcaktuar për realizimin e këtij projekti ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, shoqëria propozuese “Fusha” shpk ka në pronësi pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesa. Në këtë situatë faktike, ku shoqëria “Fusha”, shpk, rezulton pronare në zonën objekt zhvillimi, vendosja e këtij kushti nëpërmjet ligjit dhe mosparashikimi në ligj i rolit të shtetit si garant për një proces të hapur dhe transparent konkurrimi, sjell si rezultat të vetëm realizimin e një procesi selektiv konkurrimi në kushte aspak të barabarta. Kjo sepse ligji i ri në fakt parashikon se çdo subjekt që dëshiron të konkurrojë, është i detyruar që të lidhë, apo të ketë lidhur marrëveshje me pronarët e truallit, ku një prej tyre rezulton të jetë propozuesi i parë i këtij projekti, me të cilin Kuvendi me procedurë të përshpejtuar kishte përcaktuar për të bashkëpunuar me të, me trajtim preferencial nëpërmjet një ligji të veçantë, tashmë të rrëzuar. Kuvendi nuk ka parashikuar asnjë zgjidhje për rolin garantues të shtetit në kushtet kur të drejtat e pronësisë private të një, apo disa pronarëve mund të diktojnë pjesëmarrjen në konkurrim”, thuhet në dekretin e Presidentit.

Konkretisht nuk është parashikuar në ligj, zgjidhja e një situate ku një palë private paraqet një propozim, shumë herë më të lartë për nga interesi ekonomik për shtetin dhe interesin publik, por nuk ka mundur të realizojë plotësisht apo pjesërisht marrëveshje bashkëpunimi me pronarët privatë të pasurive të paluajtshme që ndodhen në këtë zonë objekt zhvillimi.

Dekreti i parë i presidentit për kthimin e ligjit për Teatrin

“Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore me kriteret e vendosura dhe me paqartësinë e saj, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kritereve të tilla vlerësuese të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurrim, duke bërë të mundur kështu që në praktikë të ekzistojë trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces. Për rrjedhojë, arrihet në bindjen se edhe kjo procedurë e re ligjore krijon pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike dhe barazisë përpara ligjit. Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore nuk mund të dekretohet me shpallje nga Presidenti i Republikës”, thekson Meta. Ashtu si dhe në rastin e parë, edhe në dekretin e dytë, kreu i shtetit vë në dukje mungesën e Gjykatës Kushtetuese, nëse ky institucion do të ishte në funksion ligji mund t’i dërgohej për ankimim.

PS i përgjigjet Metës me batutën e tij, aktorët në protestë

Ndryshe nga hera e parë, maxhoranca u shfaq më e zbutur në qëndrimet e saj karshi aktit të dytë të Metës, që ktheu sërish ligjin për ndërtimin e Teatrit.

Ndryshe nga hera e parë, maxhoranca u shfaq më e zbutur në qëndrimet e saj karshi aktit të dytë të Metës, që ktheu sërish ligjin për ndërtimin e Teatrit.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se ligjin për Teatrin, të cilin Presidenti Meta e ka rikthyer për të dytën herë do ta shqyrtojnë. Pas daljes nga Kuvendi, Balla tha se pas shqyrtimit do të kalojë në seancë plenare. “Presidenti e ka njoftuar pa na i sjellë ne, që do ta thotë ne do ta lexojmë menjëherë dhe siç përcakton procedura e sanksionuar qartë në Kushtetutë dhe më pas për rolin që luan Kuvendi për shqyrtimin e dekretit. Do të shqyrtohet dhe do të kalojë në seancë plenare. Nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Ne jemi seriozë në marrëdhënie me institucionin e Presidentit të Republikës dhe do ta shqyrtojmë me po aq seriozitet qetësi dhe dashuri propozimin që vjen nga Presidenti”, reagoi Balla me ironi.

Dekreti i parë i Metës për “Teatrin” për shkak edhe të përplasjeve të ashpra politike dhe letrës së sjellë nga BE-ja, u rishikua, duke bërë ndërhyrje në ligj. Kuvendi miratoi me 75 vota pro dekretit të Metës. Në votimin e 20 shtatorit, në seancë nuk votoi ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili ka pasur rezerva për këtë nismë të qeverisë.

Opozita e ka kontestuar fuqishëm këtë nismë për prishjen dhe ndërtimin e një teatrit të ri, duke deklaruar se prapa saj qëndrojnë aferat korruptive.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nëpërmjet një reagimi në Facebook e falënderon presidentit për kthimin për herë të dytë ligjit, duke bërë thirrje që të vijohet me protestat.

“Presidenti ktheu për here të dytë Ligjin që i hap shembjes së Kompleksit Teatrit Kombëtar-Eksperimental”, ligji është antikushtetues dhe nuk ka manovër të pisët që e fut në shinat kushtetuese. Sot ne 18.00 mblidhemi te Teatri për të protestuar. Edi Rama po lufton kundër të gjithëve, nuk ka rrugë tjetër veçse të Tërhiqet! #mbroteatrin”, Aleanca në një postim të sajin.

Ndërsa aktori Neritan Liçaj, një nga pjesëtarët e Aleancës, shprehet se “Presidenti e ktheu sërish mbrapsht ligjin për Teatrin Kombëtar. Faleminderit zoti President. Një tjetër shuplakë për horrat. P.S u bën 1.000.000!”.

Kastriot Çipi gjatë protestës

Ndërsa regjisori Kastriot Çipi, regjisor, pjese e komunitetit të artistëve kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në një prononcim për gazetën SI shprehet se “Padyshim se është lajm i mirë! Presidenti Meta rikonfirmoi se, në kushtet aktuale (qeveri njëpartiake, gjykata jofunksionale etj) është garanti i Kushtetutës dhe demokracisë. Meta tregoi edhe një herë se është shtetar atdhetar dhe jo rrogëtar i Sorosit dhe Mafias.  Kemi fituar betejën e dytë, por lufta vazhdon. Nuk e besoj se Rama do të tërhiqet, por jam i bindur se as ne nuk do të tërhiqemi. E kam thënë qysh në fillim: nuk do të shembet Teatri, por diktatura! Faleminderit z.President! Jep dorëheqjen z.Kryeministër”.

Argumentet e dekretit të dytë

  1. Së pari, veprimtaria parlamentare e zhvilluar për miratimin e ligjit të ri nr.37, datë 20.09.2018, ka shmangur sërish zbatimin e parimeve kushtetuese. Kuvendi nuk ka shqyrtuar 8 (tetë) nga 9 arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, dt 27.07.2018
  2. Sërish nuk garanton zbatimin e parimeve të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta. Edhe pse kjo është e vetmja çështje e shqyrtuar nga Kuvendi, sërish parashikimet e reja ligjore nuk e kanë zgjidhur situatën antikushtetuese të konstatuar nga Presidenti

Argumentet e dekretit të parë për cilat Meta rikërkon konsiderim nga Kuvendi

1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;

2. Ligji nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;

3. Ligji bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;

4. Ligji cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;

5. Ligji vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;

6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;

7. Ligji nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;

8. Miratimi i ligjit nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;

9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë