Ngjarje

Rrëzimi i avionit ukrainas në Iran, shefi i NATO: Duhet hetim i plotë

NATO nuk ka asnjë arsye për të mos besuar provat nga vendet aleate, përfshirë SHBA dhe Kanada, që tregojnë për një raketë iraniane që goditi avionin ukrainas i cili po fluturonte mbi qiellin e Teheranit. I këtij qëndrimi është shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili deklaroi nga Brukseli se nuk do të hyjë në detaje rreth inteligjencës së NATO-s, por tha se aleanca nuk ka asnjë arsye pse të mos besojë raportet që vijnë nga aleatë të NATO-s.
Stoltenberg e quajti përplasjen një "tragjedi" dhe theksoi nevojën për një hetim "të plotë dhe transparent" si dhe bashkëpunim të plotë nga Irani". Rrëzimi i avioni që shkaktoi 176 viktima ku brenda tyre kishte edhe shtetas kanadez po shkakton përplasje të mëdha ndërmjet Iranit, SHBA dhe Kanadasë. Kryeministri kanadez do të deklaronte fillimisht se kishte prova se avioni ukrainas Boeing 737-800 me 176 persona në bord mund të ishte goditur "pa dashje" nga një raketë iraniane.
"Ne kemi informacione nga disa burime të inteligjencës, përfshirë edhe burimet e inteligjencës së aleatëve tanë. Provat tregojnë se aeroplani u qëllua nga një raketë iraniane Tokë-ajër".
Ndërkohë, Franca e ka bërë të ditur se është e gatshme të vërë në dispozicion ekspertizën e saj teknike në hetimin e rrëzimit të avionit, nëse autoritetet iraniane japin leje.
Këto qëndrime janë hedhur poshtë nga Tehrani, i cili ka theksuar se avioni ukrainas është rrëzuar si pasojë e një defekti teknik dhe jo nga lëshimi i një rakete.
Zyrtarë të lartë të Autoritetit të Aviacionit Civil të Iranit thanë se mund të duhej një ose dy muaj kohë për të nxjerrë të dhënat nga kutitë e zeza. Ata gjithashtu mohuan teorinë se avioni ishte goditur gabimisht nga ndonjë raketë.
"Dymbëdhjetë grupe ekspertësh janë ngritur për të hetuar përplasjen dhe informacioni duhet të mblidhet në mënyrë që të dalim në përfundimin e duhur", tha kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil Irani, Ali Abedzadeh, në një konferencë shtypi në Teheran. "Deri më tani ajo që mund të them është se avioni nuk është goditur nga një raketë, ne duhet të kërkojmë shkakun e rrëzimit". Ndërsa mësohet se Irani ka kërkuar dy muaj kohë për të nxjerrë kutinë e zezë brenda avionit të rrëzuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë