Mikro dhe nanoplastika mund të hyjnë në trupat tanë dhe të rrinë rreth organeve tona, thonë shkencëtarët në Universitetin Shtetëror të Arizonës. Studimet e mëparshme mbi shkallën e konsumit të plastikës nga njerëzit tregojnë se njerëzit mund të konsumojnë diku nga 39,000 në 52,000 grimca mikroplastike në vit, sipas National Geographic.
Këto grimca mund të gjenden në birrë, kripë, ushqimet e detit, sheqer, alkool dhe mjaltë. Studiuesit Charles Rolsky dhe Varun Kelkar vendosën të bëjnë një studim për këtë çështje.
Ata filluan duke parë indet e mushkërive, mëlçisë, dhjamit, shpretkës dhe veshkave për të gjetur nëse mikroplastikat ishin të pranishme. Më tej, 47 mostra u morën nga mëlçia dhe dhjami i njeriut dhe u analizuan duke përdorur spektrometrinë e masës. Ata po kërkonin lloje të shumta të përbërësve plastikë brenda indeve, duke përfshirë polikarbonatin (PC), polietilen tereftalatin
(PET) dhe polietilenin (PE) dhe ndotës plastike u zbuluan në secilin mostër. Në veçanti, studiuesit gjetën Bisphenol A (BPA), e cila është një substancë që përdoret akoma në shumë produkte ushqimi, pavarësisht shqetësimeve shëndetësore që shkakton ajo.
“Dhuruesit e indeve dhanë informacione të hollësishme mbi stilin e tyre të jetesës, dietën dhe ekspozimet në punë. Për shkak të kësaj, studimi ynë arrin të tregojë në mënyrë të saktë se nga i marrim dhe si i marrim mikro dhe nanoplastikën.” thotë Rolf Halden, studiues në laboratorin ku u provuan mostrat.
Kur bëhet fjalë për efektin në shëndetin e njeriut, nuk dihet ende shumë për rreziqet e paraqitura por deri më tani, hulumtimet kanë treguar se prania e mikro dhe nanoplastikës tek kafshët shkakton infertilitet, inflamacion dhe kancer.
“Ne nuk duam të jemi alarmues, por shqetësuese është që këto materiale janë të pranishme kudo, mund të hyjnë dhe të grumbullohen në indet njerëzore kur ne nuk i dimë akoma efektet e mundshme shëndetësore”, thotë Kelkar.

Shkencëtarët i përcaktojnë mikroplastikat si pjesë plastike me diametër më të vogël se 5 mm ndërsa nanoplastikat janë edhe më të vogla, me diametër më pak se 0.001 mm.
“Ju mund të gjeni plastikë që ndotin mjedisin në pothuajse çdo vend të botës dhe për disa dekada, ne kemi kaluar nga përdorimi i plastikës për përfitime të mrekullueshme në konsiderimin e saj si një kërcënim.” shton Rolsky.
Studiuesit planifikojnë të kryejnë studime të mëtejshme për të vlerësuar rreziqet e mikroplastikës në shëndetin e njeriut. Ndërkohë, ata do të ndajnë hulumtimin e tyre në internet për të ndihmuar në mbledhjen e rezultateve nga studime të ngjashme që po bëhen në të gjithë botën.
“Ky studim i përbashkët do të ndihmojë në ndërtimin e një baze të të dhënave dhe do na ndihmojë ti shkojmë deri në fund këtij studimi.” përfundon Halden.
Burimi: Euronews. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



