Treg

Rreziku ndjellës i ndërtimit

Nga Gisela Troplini - Bankat e kanë bërë të qartë se po shikojnë rrezik të shtuar tek tregu imobiliar, por ndërtuesit mbeten optimistë si për çmimet, ashtu edhe për kërkesën. Ata së bashku me drejtuesit lokalë të qyteteve që nuk po kufizohen në lejet e ndërtimit nuk parashikojnë ende rreziqe.

Ky dualitet e bën më të paqartë perspektivën e cila mund të rezultojë edhe brutale për blerësit nëse stoku i banesve zhvlerësohet.

Përmes anketës së  fundit të Bankës së Shqipërisë, bankat tregtare, duke perceptuar një rrezik, kanë treguar se do të ulin kreditë që japin për blerje banesash. Ato do të shtrëngojnë dhe kushtet e huadhënies për këtë qëllim.

Kjo ‘marrëveshje’ midis bankave vjen pak muaj pasi BSH miratoi rregulloren për monitorimin e kredive hipotekore, pikërisht për shkak të riskut të lartë në këtë treg dhe ekspozimit ndaj informalitetit.

Nuhatja e bankave për të ardhmen e dyshimtë të pasurive të patundshme zë fill më herët që  gjatë 2023-shit kur bankat shtrënguan dorë me kreditimin e ndërtimit. Sipas statistikave zyrtare të BSH-së, deri në gjysmë të vitit, bankat dhanë vetëm 20.5 mld lekë kredi për bizneset e ndërtimit, 10% më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Ndërkohë një vit më parë, rritja raportohej rreth 40%. 

Dhe pse është momentalisht e vetmja shtyllë e ekonomisë së vendit, dhe qeveria parashikon një rënie të ndërtimit si kontribuues në PBB. Rritja e çmimeve të referencës ishte po ashtu një vendim që sipas kryeministrit Edi Rama do t’i japë fund deklarimeve të rrema të ndërtuesve që shesin mijëra euro një metër2.

Për ekspertët e ekonomisë, cikli i shtrenjtimit të pronave në Shqipëri nuk do të ndalet për të paktën 5 vite, pasi ai funksionon jashtë logjikës së një tregu ekonomik që ndikohet nga kërkesa, oferta, vlera. Ai është një treg paradoksal.

“Të gjesh apartament në Tiranë është paradoks. Secili është i paqartë mbi zhvillimin e një tregu me të ardhme po aq të paqartë. Problemi i është se një numër i lartë ndërtimesh, që në fakt duhet të normalizonte vlerën e pronës sepse kur ka shumë ofertë në treg ulet vlera respektivisht, nuk e ka ulur. Tregu po ecën me një perceptim që ku  ‘çdo kryeqytet në botë ka një kosto të caktuar. Por në raport me të ardhurat mesatare apo edhe më të ulëta, ka një disbalancë” shpjegon arkitekti Saimir Kristo.

Por nga ana tjetër, ndërtuesit janë tepër optimistë për të ardhmen e ndërtimit dhe imobiliareve. 

Në anketën që kryen Banka e Shqipërisë, këto biznese janë të vetmet që kanë besim në të ardhmen e ekonomisë, kërkesës dhe çmimeve. Përfaqësuesit e ndërtuesve mohojnë prezencën e një risku në këtë treg.

Pak ditë më parë, kreu i shoqatës së ndërtuesve, Erion Harizaj përgënjeshtroi lajmin se paratë e pista pastrohen në ndërtim dhe se ka stok apartamentesh bosh. Madje, ai tha se ka mungesë.

“Atëherë dua të them se nuk bie dakord me stokun që është i pa shitur dhe duhet të ndahet në dy pjesë. Sot ka një mungesë tregu të apartamenteve me hipotekë. Sot në Tiranë të gjesh shtëpi me hipotekë është e vështirë dhe ne nuk na rezulton të kemi stok të apartamenteve të pa shitura, por ndoshta këtu është për tu llogaritur që ata që i kanë blerë janë jashtë shtetit ose i kanë blerë si shtëpi të dyta dhe të treta, pra janë të papërdorura dhe jo stok i pa shitur por stok i papërdorur,” tha Harizaj për mediat.

Për rritjen e shpejtë të çmimeve të banesave, shoqata e ndërtuesve fajëson kostot e rritura të materialeve ndërtuese dhe taksat.

Agjentët imobiliarë po ashtu, nuk flasin për shenja të ngadalësimit të kërkesës dhe aq më pak rënie çmimesh. Për ta tregu vetëm zhvillohet drejt cilësive më të mira, si përgjigje e kërkesës së lartë.

Një tjetër indikator që tregon optimizëm për të ardhmen e ndërtimit është ai i lejeve për zhvillim. Vitet e fundit ato vetëm janë shtuar. Deri në shtator të 2023-shit (shifrat e fundit publike) në Shqipëri janë miratuar 1.299 leje ndërtimi në një sipërfaqe prej 1.52 mln m2. Më shumë se gjysma e kësaj hapësire, i përket Tiranës. Që pas pandemisë numri i lejeve të dhëna është rritur progresivisht, kryesisht për Tiranën dhe vendet bregdetare.

Rritja ekonomike është themeli i krizës, shkruante Hyman Minsky duke argumentuar se pas një periudhe të gjatë prosperiteti, vjen gjithmonë një rënie. Në gjuhën e ekonomiksit, kjo njihet si ‘Minsky Moment’ dhe sektori i ndërtimit në vend nuk i shmanget dot, por kur do të jetë ajo?!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë