Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon Kolegjit Zgjedhor që të mos shfrytëzojë të gjithë afatin 10-ditor që i mundëson ligji, por të marrë vendim sa më parë në lidhje me ankimimin e Partisë Socialiste, që kundërshton vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve për numrin e kandidatëve në listat e Partisë Demokratike.
KQZ thotë se sa më shumë të vonohet ky proces, aq më shumë rrezikohet procesi i prodhimit të fletëve të votimit brenda afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.
“Pa cenuar pavarësinë e Kolegjit Zgjedhor dhe duke respektuar paanësinë tuaj në vendimmarrje kërkojmë nga ana juaj përshpejtimin e shqyrtimit të ankimimit për arsye se çdo vonesë krijon pamundësinë e miratimit të përmbatjes së fletës së votimit, e cila ndikon në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së fletëve të votimit brenda afateve të ligjit”, thuhet në letrën e KQZ.
Partia Socialiste apeloi vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve që i dha të drejtë Partisë Demokratike për të regjistruar 222 emra në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, ankimimi i PS-së duhet të dorëzohet brenda 5 ditëve. Kolegji më pas duhet të njihet me kërkesë-padinë brenda 24 orëve nga marrja e saj dhe brenda dhjetë ditëve duhet të dalë me një vendim, që është i formës së prerë dhe duhet të zbardhet jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij.
Në varësi të kohës që do të marrë Kolegji për të dalë me një vendim është edhe miratimi i fletës së votimit nga ana e KQZ-së. Aktualisht, vetë KQZ është në proces konsultimi për përzgjedhjen e njërit prej katër modeleve që ka në shqyrtim. E për të pasur një “mendje të tretë” u është drejtuar edhe rrjeteve sociale. Përmes Facebook, KQZ ka hapur anketa ku fton ndjekësit që të japin pëlqimin e tyre për njërën nga fletët e votimit.
Nga një vështrim paraprak i komenteve dhe mendimeve të dhëna nga komentuesit modeli me numër tre i fletës së votimit, ku veç partisë në fletë kandidatët paraqiten me emra dhe jo me numra është më e preferuarai ndjekur më pas nga modeli numër 1, ku kandidatët paraqiten me numra e që vlerësohet si më i thjeshti nga qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.