Gazeta Si – Makthet më të këqija të Harry-t janë materializuar: ai dhe Meghan janë ndjekur në një makinë në Nju Jork nga paparacët me pasoja “pothuajse katastrofike”.
Një skenar që duket se përsërit atë që pa vdekjen e princeshës Diana në Paris 26 vjet më parë.
Një tragjedi që djali i saj, Princi ua ka atribuar gjithmonë fotografëve dhe gazetarëve që e ndiqnin kudo dhe që atë mbrëmje fatale kishin nisur në ndjekje ndaj saj.
Lajmin për incidentin me Harry-n dhe Meghan, të cilët ishin në shoqërinë e nënës së saj, Doria Ragland, e ka dhënë zëdhënësi i tyre, sipas të cilit “gjuetia pa ndalesë” ka zgjatur mbi dy orë dhe ka shkaktuar “pothuajse përplasjen” me makina të tjera, këmbësorë dhe patrulla policie.
“Nëse të qenit personazh publik shoqërohet me një nivel të caktuar interesi nga ana e njerëzve, – komentoi zëdhënësi, – kjo nuk duhet të bëhet kurrë me koston e sigurisë së askujt”.
Dhe për këtë arsye, përfundoi ai, “shpërndarja e këtyre imazheve, duke pasur parasysh mënyrën se si ato janë marrë, inkurajon praktika shumë ndërhyrëse që janë të rrezikshme për të gjithë të përfshirët”.
Megjithatë, në këtë histori ka shumë “pothuajse” dhe shumë “ndoshta”: fakti daton në mbrëmjen e kaluar, në fund të ceremonisë në të cilën Meghan mori çmimin e dhënë për “Gratë me vizion”, dalja e parë publike e Dukëve të Sussex-it së bashku prej disa kohësh.
Por lajmi u dha vetëm sot nga zëdhënësi i tyre, pa vënë re asgjë nga mediat shumë të vëmendshme amerikane: dhe fillimisht policia e Nju Jorkut nuk e konfirmoi atë që ndodhi.
Jo se asgjë nuk ndodhi, sigurisht, por Princi Harry është një njeri i gëlltitur nga makthet dhe obsesionet e tij, i gatshëm t’u japë formë edhe fantazmave: dhe kjo shpjegon edhe faktin se ai është i përfshirë në jo më pak se katër çështje ligjore në Londër kundër gazetave, fajtore sipas mendimit të tij, për të gjitha veprimet e këqija në këtë botë, plus dy të tjera kundër vetë qeverisë britanike, e akuzuar se i kishin mohuar eskortën dhe për rrjedhojë se vizitat e tij në Londër, sipas tij, nuk ishin më të sigurta.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se pas kurorëzimit të mbretit Charles, ku Harry u ul në rreshtin e tretë dhe u përbuz nga të gjithë, rreziku për Sussex-ët është të rrëshqasin në parëndësi, të urryer në Britaninë e Madhe dhe të injoruar në Amerikë, ku narracioni i tyre duket se ka gjithnjë e më pak rëndësi.
Pra, përpjekja e tyre është të qëndrojnë në qendër të vëmendjes dhe të ushqejnë kureshtjen e mediave, edhe pse tani u kanë mbaruar fishekët: dhe roli i viktimës është ai që ata e kanë parë veçanërisht të pëlqyeshëm që në fillim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



