Nga Gazeta ‘SI’ – Profesonistët e lirë i kanë dërguar një letër ministrisë së Financave, duke shprehur shqetësimet për çmimet e reja të referencës, shpallur nga qeveria.
Aleanca e Profesionsitëve, APL, thotë se drafti ka nëj metodologji jo transparente dhe nuk pranon transaksionet poshtë vlerës së caktuar, duke nxitur rritje artificiale të të çmimeve të apartamenteve.
Në letrën drejtuar ministrit të Financave theksohet se projektvendimi nuk garanton filtrimin e transaksioneve të fryra apo të lidhura me veprimtari të dyshimta, si pastrimi i parave, të cilat mund të shtrembërojnë më tej çmimet mesatare të tregut. Sipas APL, përdorimi i projekteve të ardhshme të zhvillimit urban si indikatorë për rritjen e çmimeve referuese, pa u bazuar në të dhëna reale të tregut të sotëm, përbën një tjetër rrezik për deformimin e tregut.
Një tjetër problematikë e ngritur lidhet me përfshirjen e ndërtimeve pa leje ose në proces legalizimi në bazën e vlerësimit fiskal, çka sipas profesionistëve krijon precedent të rrezikshëm dhe cenon përpjekjet për formalizimin e sektorit të ndërtimit.
APL thekson se metodologjia aktuale e propozuar i hap rrugë arbitraritetit administrativ dhe rrezikon të përfundojë si një instrument për rritjen e të ardhurave fiskale, dhe jo si një mekanizëm për pasqyrimin real të ofertës dhe kërkesës në tregun e banesave.
Profesionistët kërkojnë rishikim të këtij drafti për të garantuar siguri juridike, transparencë dhe neutralitet fiskal, për të mos e bërë tregun imobiliar një viktimë të ndërhyrjeve administrative.
Në reagimin e saj, Aleanca rikujton se i është drejtuar më herët ministrit të Financave me kërkesën që banesa e parë e qytetarëve të përjashtohet nga taksa e ndërtesës, pasi ndryshime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt shtresat e mesme dhe familjet që zotërojnë vetëm një pronë për banim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



