Gazeta Si – Ministria e Shëndetësisë në Itali, ka urdhëruar se të gjithë pasagjerët që vijnë nga Kina, duhet t’i nënshtrohen një tamponi anti-Covid në pikat kufitare.
Lajmin e ka dhënë ministri i Shëndetësisë, Orazio Schillaci. Vendimi u mor pas të dhënave shqetësuese epidemiologjike kineze, ku dyshohet se vendi aziatik ka miliona të infektuar nga Covid, pavarësisht se shifrat zyrtare nuk e konfirmojnë.
“Kam porositur, me urdhër tamponët e detyrueshëm antigjenik të Covid 19 dhe sekuencën përkatëse të virusit, për të gjithë pasagjerët që vijnë nga Kina dhe në tranzit nëpër Itali. Masa është thelbësore për të siguruar mbikëqyrjen dhe identifikimin e çdo varianti të virusit në mënyrë që të mbrohet popullata italiane. Do të raportoj më hollësisht gjatë Këshillit të Ministrave të mbledhur sot”, deklaron Schillaci.
Pak para se të merrej vendimi i ministrisë, Rajoni i Lazios kishte urdhëruar gjithashtu teste për ata që zbarkojnë në Fiumicino nga Pekini ose Shangai.
E njëjta linjë u miratua të martën nga autoritetet shëndetësore të Lombardisë për aeroportin Malpensa.
“Në një fluturim nga Pekini, 52% e pasagjerëve u gjetën pozitivë mer Covid” tha këshilltari shëndetësor i Lombardisë, Guido Bertolaso.
Ka shqetësim nga ana e autoriteteve shëndetësore botërore për situatën e infeksioneve Covid në Kinë: numrat nuk jepen nga qeveria e Pekinit, por sipas atyre të përpunuara nga institutet perëndimore të analizave shëndetësore, si “British Airfinity”, pothuajse 1, në 5 kinezë është pozitiv, kujdesi intensiv është i mbingarkuar me pacientë dhe numri i vdekjeve do të kalonte 5000 në ditë.
Përveç kësaj, braktisja e politikës “Zero Covid” nga Kina, tashmë përfundimtare, është gati të shënojë hapat e mëtejshëm përfundimtarë: nga 8 janari, Pekini do të rifillojë lëshimin dhe rinovimin e pasaportave për vendet e huaja dhe, përfundimisht, kërkesat për të udhëtuar jashtë, janë shumëfishuar krahasuar me vitin e kaluar.
Përveç shqetësimit për të sëmurët rëndë në Kinë, ka alarm për pasojat epidemiologjike të një numri kaq të madh infeksionesh: mund të gjenerohen variante të reja edhe më vdekjeprurëse, të cilat mund të përhapen nga vendi aziatik në pjesën tjetër të botës, siç ndodhi dy vjet më parë.
Por pse infeksionet në Kinë do të ishin kaq shqetësuese për zhvillimin e varianteve të reja?
Probabiliteti i shfaqjes së varianteve rritet me rritjen e qarkullimit të virusit dhe në Kinë disa parashikime gjurmojnë dy kulme të infeksioneve me shifra jonormale: 3.7 milionë në ditë në mes të janarit dhe 4.2 milionë në ditë në mars.
Ndërkohë, pas gati 3 vitesh izolimi nga koronavirusi, Kina lejoi qytetarët e saj që duan të udhëtojnë lirisht jashtë vendit.
Qeveria kineze vendosi të heqë karantinën 3 javore për ata që hyjnë, qofshin shtetas të Kinës apo të huaj, duke nisur nga 8 janari i vitit të ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




