Para

Rreth 80% e të rriturve në Shqipëri me llogari bankare. 11 pagesa me kartë për frymë

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria ka bërë progres drejt digjitalizimit të pagesave, ku pothuajse 80% e të rriturve kanë tashmë një llogari bankare.

Shifrat i dha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë ëorkshopit “Rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit në SEPA, përfshirjes dhe edukimit financiar”.

Sejko tha se shifra mund të arrijë në 85% nëse përfshihen dhe llogaritë e pagesave të ofruara nga institucionet e parasë elektronike.

“Rritja e përfshirjes financiare është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të pagesave elektronike. Më konkretisht, në vitin 2023, numri i pagesave elektronike për frymë arriti në 21, nga rreth 4 pagesa për frymë në vitin 2017. Rritje të konsiderueshme kanë paraqitur pagesat me kartë duke arritur në 11 pagesa për frymë në vitin 2023, nga 5 pagesa për frymë që ishte ky tregues në vitin 2020”, tha Guvernatori.

Ai rikujtoi se një ditë më parë, u firmos aplikimi për në SEPA, sistemit europian të pagesave, që do t’i kursejë Shqipërisë të paktën 20 mln euro në vit. 

 “Përfitimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte etj. Projeksionet janë që në afatmesëm ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA. Nga pikëpamja integruese e vendit, anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA garanton trajtimin e shtetasve shqiptarë në mënyrë të njëtrajtshme me ata evropianë në fushën e pagesave. Gjithashtu, ai garanton përputhshmërinë e tregut shqiptar të pagesave me legjislacionin dhe praktikat e BE-së për sa i përket Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë të kapitalit”, duke kurorëzuar me sukses përpjekjet e vazhdueshme disavjeçare të Bankës së Shqipërisë si institucion përgjegjës për këtë kapitull. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, përmbushja e këtij objektivi shënon dhe një nga hapat e parë drejt realizimit të angazhimeve në kuadër të Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, çka do të mundësojë përthithjen nga ana e Shqipërisë të fondeve të disponueshme dhe krijimin e një rruge më të qëndrueshme drejt anëtarësimit të vendit brenda vitit 2030, i cili është dhe objektivi jonë,” u shpreh Guvernatori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë