Nga Gazeta “Si”- “Promovimi i shkrim-leximit për një botë në tranzicion: Ndërtimi i themeleve për shoqëri të qëndrueshme dhe paqësore”.
Kjo ishte tema në Ditën Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit e cila u shpall nga UNESCO në vitin 1966, pas një konference botërore për arsimin të mbajtur në Teheran, dhe u festua për herë të parë më 8 shtator 1967.
Që prej asaj kohe, çdo vit i kujton opinionit publik se shkrim-leximi nuk është thjesht një aftësi, por një e drejtë themelore e njeriut dhe një parakusht për zhvillim e dinjitet.
Megjithëse është bërë progres i madh, shifrat mbeten alarmante.
Sipas të dhënave të UNESCO-s, rreth 763 milionë të rinj dhe të rritur ende nuk zotëronin aftësitë bazë të shkrim-leximit në vitin 2020. Pandemia e COVID-19, ndryshimet klimatike dhe konfliktet e armatosura e kanë thelluar edhe më shumë këtë krizë. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, përqindja e fëmijëve 10-vjeçarë që nuk arrijnë të lexojnë dhe të kuptojnë një tekst të thjeshtë është rritur nga 57% në vitin 2019 në rreth 70% në vitin 2022.

Dita e Shkrim-Leximit këtë vit shërben për të reflektuar mbi rolin e kësaj aftësie bazë në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, të paqta dhe të qëndrueshme. Aktivitetet e organizuara në mbarë botën synojnë të përshpejtojnë përparimin drejt Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 4 (SDG4), që lidhet me arsimin cilësor dhe mësimin gjatë gjithë jetës.
Në nivel global, UNESCO ka parashikuar një konferencë në Paris, me pjesëmarrje fizike dhe online, ku do të ndahen edhe Çmimet Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit për programet më të spikatura në këtë fushë.
Çfarë është shkrim-leximi?
Tradicionalisht i kuptuar si aftësia për të lexuar dhe shkruar, koncepti i shkrim-leximit sot është zgjeruar dhe përfshin dimensione të reja: shkrim-leximi digjital, mediatik, ligjor, kompjuterik, informativ e të tjera. Sipas UNESCO-s, shkrim-leximi është një proces që lidhet ngushtë me kontekstin shoqëror dhe kulturor ku zhvillohet, duke përfshirë edhe aftësinë për të komunikuar, për të kuptuar simbolet dhe për të përdorur informacionin në mënyrë kritike.
Zhvillimi i shkrim-leximit nis nga kuptimi i fjalës së folur dhe vazhdon deri te interpretimi kritik i teksteve, përdorimi i informacionit për vendimmarrje të informuar dhe krijimtari. Mungesa e këtyre aftësive njihet si analfabetizëm , një barrierë që kufizon mundësitë dhe zhvillimin individual e kolektiv.

Në përkufizimin e fundit të dhënë nga ekspertët e UNESCO-s, shkrim-leximi është:
“Aftësia për të identifikuar, kuptuar, interpretuar, krijuar, komunikuar dhe llogaritur duke përdorur materiale të shkruara e të shtypura në kontekste të ndryshme”.
Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit është një thirrje për të investuar më shumë në arsim, për të zvogëluar pabarazitë dhe për të garantuar që çdo fëmijë, i ri apo i rritur, të ketë mundësi të mësojë dhe të përfitojë nga fuqia transformuese e leximit dhe shkrimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



