Para

Rreth 600 mld lekë në arkën e shtetit për 11-mujorin. Ndikimi kryesor të punësuarit dhe bizneset

Nga Gazeta ‘SI’ – Arka e shtetit ka mbledhur më shumë para këtë vit, si pasojë e çmimeve, fitimeve dhe pagave më të larta. deri në fund të nëntorit 2023, në arkë u futën 586.4 mld lekë, rreth 65 mld lekë më shumë se një vit më parë.

Ndonëse TVSH-ja e importit është në vlera më të larta, rritje të shpejtë kanë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatim-fitimi.

Gjithsesi plani i të ardhurave është arritur në shumë pak nga zërat e arkëtueshëm.

Suficiti vazhdon të jetë në nivele rekord, 37.8 mld lekë, si pasojë e shpenzimeve kapitale më të ulëta.

Të ardhurat

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ishin 197.5 mld lekë, pak më pak se plani për periudhën, dhe 3.6 mld lekë më pak se e 2022.

Vetëm TVSH-ja e importit ka arkëtuar 133.5 mld lekë, 7.4 mld lekë më pak se e njëjta periudhë 2022. Ajo mbetet zëri kryesor i arkës së shtetit, por pesha e saj është reduktuar ndjeshëm këtë vit.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 53 miliardë lekë, 4.3 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.7 miliardë lekë, 1.2 miliardë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 11 mujorin 2023, u realizuan në masën 314.8 miliardë lekë, 50.7 miliardë më shumë se 11 mujori i vitit të kaluar

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 43.1 miliardë lekë, 7.2 miliardë më shumë se 11 mujori 2022.

Rimbursimet për periudhën 11 mujore 2023 janë 18.9 miliardë lekë, 3.3 miliardë lekë më shumë se 11 mujori 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 57 miliardë lekë, 16.1 miliardë lekë, më shumë se 11 mujori 2022.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 53 miliardë lekë, 28.3% më shumë se 11 mujori 2022. Taksat nacionale, për periudhën 11 mujore 2023 u realizuan në masën 34.3 miliardë lekë, 3.4 miliardë lekë më pak se 11 mujori 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 127.6 miliardë lekë, 19.3 miliardë lekë më shumë se 11 mujori 2022.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 11-mujore të vitit 2023, arritën në rreth 548.6 miliarë lekë me një realizim në masën 95.8% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 6.8 %  më i lartë ose rreth 34.9 miliardë lekë më shumë.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 11 mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 78.6 % të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 77.7% te planit vjetor.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97.4% dhe 87.8% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 86.9 % dhe 59.3% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar.

Shpenzimet korrente për periudhën 11 mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 475 miliardë lekë ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 11.3% më i lartë ose rreth 48.3 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 11 mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 73.4 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 16.5% më i lartë ose rreth 10.4 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 11 mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 37.8 miliardë lekë nga rreth 17.2 miliardë lekë suficit i planifikuar për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar rreth 28.6 miliardë lekë më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë