Nga Gazeta Si- Mbipesha është armiku kryesor i shëndetit të njeriut dhe është një nga shkaqet më të zakonshme për vdekjet e parakohshme.
Një studim i fundit me të dhëna nga Harta Globale e obezitetit tregon se Shqipëria do të ketë një prevalencë shumë të lartë në vitin 2035 ku rreth 37% e të rriturve do të jenë mbipeshë.
Ky është një nivel i lartë dhe është konsideruar nga studimi alarmant dhe sidomos për fëmijët, ku rritja do të jetë më e lartë.
Studimi tregon se obeziteti në Shqipëri deri në vitin 2035 tek fëmijët do të rritet me 6.7% dhe tek të rriturit me 2.6%.
Pediatri Gëzim Shehu i pyetur më parë nga Gazetasi.al për obezitetin tek fëmijët në Shqipëri tha se shumica e pacientëve pedriatik vuajnë nga diabeti.
Sipas tij, më të prekurit janë moshat e vogla dhe janë prindërit që duhet të edukohen për ushqyerjen.
Ndërkohë nutricionistja Diola Dosti tha asokohe për Gazetasi.al se obeziteti tek fëmijët është i rrezikshëm sepse kthehet në një sërë problemesh shëndetësore për gjithë jetën.
Sipas nutricionistes, ajo që duhej bërë është edukimi i frigoriferit, ku prindërit të blejnë ushqime të shëndetshme bashkë me fëmijët dhe rrjedhimisht i mësojnë ata të ushqehen shëndetshëm.
Studimi global evidenton se çdo vend është i prekur nga obeziteti, por vendet më të ardhura më të ulëta kanë shfaqur rritjet më të larta në dekadën e fundit.
Asnjë vend nuk ka raportuar rënie të prevalencës së obezitetit dhe asnjë nuk po përmbush objektivin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për “mos rritje në nivelet e vitit 2010 deri në vitin 2025”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar disa rregulla të reja me 2022 për të parandaluar menaxhuar dhe trajtuar obezitetin gjatë gjithë jetës.
Parandalimi dhe trajtimi i obezitetit kërkon investime financiare, por ndërkohë kostot e mostrajtimit janë edhe më të larta. Mbipesha dhe obeziteti do i kushtojë ekonomisë globale mbi 4 trilion dollarë të ardhura deri më 2035, gati 3% e PBB globale aktuale.
Vlerësimet për rritjen e vazhdueshme të prevalencës së obezitetit bazohen në tendencat e publikuara nga viti 1975 deri në vitin 2016.
Periudha nga viti 2020 deri në vitin 2022 ka rritur rrezikun e shtimit të peshës, pasi u kufizuan lëvizjet jashtë shtëpisë, duke përkeqësuar dietën dhe qëndrimin e ulur etj. Rritja e prevalencës së obezitetit, e cila duket se ka ndodhur veçanërisht te fëmijët, mund të jetë e vështirë për t’u kthyer, ndërkohë që pandemia e ka përkeqësuar më tej.
Në Atlas tregohet se mbi 4 miliardë njerëz mund të preken deri në vitin 2035, krahasuar me mbi 2.6 miliardë në 2020. Kjo pasqyron një rritje nga 38% e popullsisë së botës në 2020 në mbi 50% deri në vitin 2035.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.