Treg

Rreth 25% e punonjësve në Shqipëri presin të ikin…

Nga Gazeta ‘SI’ – 25% e të punësuarve në Shqipëri, presin që brenda 12 muajve të largohen nga qyteti apo vendi ku jetojnë dhe punojnë, shifra e dyta më e larta e këtij treguesi në të gjithë Europën. Në vend të parë ndodhet Kosova, me 30%.

Shifrat raportohen nga Anketa për Vendin e Punës nga Gallup, organizata botërore e sondazheve.

Në këtë tregues, vihet re se vendet e para, që tregojnë dhe përqindjen më të madhe të atyre që dëshirojnë të largohen,  janë të zëna të gjitha nga shtetet ballkanike.  

Të anketuarve u është kërkuar të tregojnë se a ndihen të respektuar në vendin e tyre të punës, dhe 6% e punonjësve nga Shqipëria janë përgjigjur me “jo”, duke zënë vendin e 24-të në listë. 18% e tyre kanë pranuar se në punë përjetojnë zemërim dhe 16% trishtim.

Lidhur me të punuarit në ndjesinë e stresit, 45% e punonjësve shqiptarë janë përgjigjur pozitivisht, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 9-të sipas nivelit të stresit në ambiente pune. Por vetëm 26% e  tyre shqetësohen për punën. 23% e punonjësve shqiptarë janë të angazhuar dhe dedikuar në punën e tyre, ndër nivelet më të larta në Europë, duke e lënë Shqipërinë në vendin e shtatë.

Shqipëria renditet ndër vendet e fundit për vlerësimin e shkallës së jetesës. Vetëm 31% e tyre mendojnë se janë në një stad zhvillimi të jetës së tyre, në vend të 35-të, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Qipron.

Sipas Gallup, ne kalojmë 81.396 orë në punë gjatë gjithë jetës sonë dhe 60% e njerëzve janë të shkëputur nga ajo gjatë kësaj kohe dhe 19% ndihen të dëshpëruar. Raporti e cilëson procesin e “ringjalljes” së tregut të punës si të qëndrueshëm, por jo shumë të mirë.

Krahasuar që nga viti 2009, përqindja e punonjësve që përjetojnë stres dhe trishtim në punë, ka arritur majat vetëm vitin e shkuar, 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë