Bota

Mbi 20 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, Erdogan: E pamundur të ishim gati

Gazeta Si – Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën është tani të paktën 20,000, sipas autoriteteve.

Në Turqi, numri i të vdekurve është rritur në të paktën 16,014, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të enjten ndërsa vizitoi zonat e prekura në qytetin jugor të Gaziantepit.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Siri është të paktën 4,162, duke përfshirë 1,900 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim sipas grupit të mbrojtjes civile ‘Helmetat e Bardha’, dhe 1,262 vdekje në pjesët e kontrolluara nga qeveria e Sirisë, sipas medias shtetërore siriane.

Dhjetëra mijëra të tjerë janë raportuar të plagosur në të dy vendet, ndërsa punonjësit e shpëtimit luftojnë për të gjetur të mbijetuarit në rrënojat e ndërtesave të rrëzuara mes një shpërthimi të ftohtë dimëror.

Ekipe nga të paktën 70 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, kanë shkuar në zonat e prekura nga tërmeti.

Në Siri mbërritja e ndihmës ndërkombëtare është më e vështirë, për shkak të aksesit të limituar, si pasojë e rrugëve të dëmtuara.

Ndërkohë, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka mbrojtur reagimin e qeverisë së tij ndaj dy tërmeteve katastrofike, duke thënë se ishte e pamundur të përgatitej për shkallën e katastrofës.

Kritikët pretenduan se përgjigja e shërbimeve të emergjencës ishte shumë e ngadaltë dhe qeveria ishte e përgatitur dobët.

Erdogan pranoi se qeveria kishte hasur disa probleme, por tha se situata tani ishte “nën kontroll”.

Udhëheqësi i partisë kryesore opozitare të Turqisë, Kemal Kilicdaroglu nuk u pajtua. “Nëse ka një person përgjegjës për këtë, ai është Erdogan”, tha ai.

Presidenti e hodhi poshtë akuzën dhe tha se kërkohej unitet pas katastrofës, “Në një periudhë si kjo, nuk mund t’i shqetësoj njerëzit që kryejnë fushata negative për interesa politike”, – u tha ai gazetarëve në Hatay.

Situata mbetet shumë e rëndë edhe në Siri, ku 1250 të vdekur janë regjistruar në zonën e kontrolluar nga qeveria e Asadit dhe rreth 1400 në veriperëndim të vendit, të kontrolluara nga forcat opozitare.

Këtu ndihma humanitare është në vështirësi për të mbërritur për shkak të pengesave përgjatë pikave kufitare që lidhin vendin me Turqinë.

Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ra pranë Gaziantep, në orët e para të hënës. Ai u pasua nga një tjetër tërmet i fuqishëm në mesditë, me magnitudë 7.5.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë