Muzike

Rreperi Action Bronson – Në kërkim të rrënjëve,  në Prishtinë

Foto Credit: Fahredin Spahija

Vitin e kaluar, në një prej emisioneve të tij televizive, shefi i kuzhinës dhe rreperi i njohur amerikan, Action Bronson, kishte të ftuar këngëtaren britanike me origjinë shqiptare Dua Lipa, e cila gatoi në “Untitled Action Bronson”, një pjatë tipike shqiptare, ndërsa më pas kërcyen valle me këngët e Merita Halilit, edhe ajo e ftuar për të interpretuar live në një shfaqje atipike televizive, gërshetuar mes gatimit, muzikës dhe batutave spontane mes mikpritësit dhe të ftuarve.

Një vit më vonë, duket se Dua i ka kthyer nderin Bronson-it, duke e ftuar në Prishtinë, në festivalin “Sunny Hill”, i cili organizohet nga i ati i këngëtares, Dukagjin Lipa, nga data 10 deri më 12 gusht në kryeqytetin e Kosovës. “Kosovë, unë po vij!” – ka qenë përgjigja e rreperit, emri i vërtetë i të cilit është Arian Arslani, ndërsa ka shtuar se këtë vizitë të parë në vendlindjen e të parëve ia kushton gjyshërve.

Bronson u rrit në Forest Hills Queens, i biri i një babai shqiptar dhe një nëne hebraike nga Brooklyn. Ishte fëmijë i vetëm, por popullsia në apartamentin me dy dhoma gjumi shkonte deri në 13 banorë, mbushur me kushërinj, halla, xhaxhallarë dhe refugjatë që i iknin spastrimit etnik në Kosovë.

“Kosovë dhe Shkup, s’do ta humbisja për asgjë në botë. Kjo është për gjyshërit e mi, Arslan dhe Alije Asllani, 11 gusht 2018”, ka shkruar Bronson, në profilin e tij në Instagram, duke iu bashkuar këtij festivali në krah të emrave të njohur të muzikës ndërkombëtare si Dua Lipa- e cila ka premtuar se do të këndojë e veshur kuqezi – DJ Martin Garrix, Col3trane, Stanaj, etj.

Ka thënë se ndihet i turpëruar se nuk di të flasë shqip, në konferencën e mbajtur të martën e 8 gushtit, pasi ka mbërritur në Kosovë, por i njeh mirë gatimet tradicionale të vendit, të cilat mezi ka pritur t’i shijojë. Fort e kuptueshme kur veç muzikës, pasioni tjetër i madh i Bronson-it është arti i kulinarisë, të cilit i dedikon emisionin në Nju Jork.

Në restorantin e familjes, ai zhvilloi magjepsjen për të ngrënët cilësor. Pasi studioi në programin e kulinarisë në Institutin e Artit të Nju Jorkut, bëri punë të ndryshme; nga pastrues tavolinash deri te ndihmës kuzhinier. Shpesh, këngët në diskografinë e tij lexohen si artikuj menyje: “Palcë kocke e pjekur” “Qese me Ton” “Pulë e mbushur” “ Peshk i marinar”. Revista Rolling Stone, duke vlerësuar tematikën, e ka përshkruar muzikën e Bronsonit “Maksimumi i  ushqimit që të jep zemër, me një ndërthurje bashkëkohore.”

“Më pëlqen ushqimi tradicional, më së shumti pëlqej sarmat e shoqëruara me lakra. Ndërsa për të pirë, pëlqej rakinë”, ka zbuluar ai për gazetarët gjatë konferencës, duke shtuar se mezi pret të shijojë flinë dhe specat me gjizë, të Kosovës.

Ai gjithashtu ka zbuluar se familja e tij e ka origjinën nga Gjilani, ndërsa më vonë janë zhvendosur drejt Shkupit. “Gjyshja ime ka qenë nga Shkupi, ajo bënte ushqimet më të mira në botë, kurse babai im është nga Gjilani. Kështu që unë kam prejardhje nga Kosova”. Ndërsa gjurmon rrënjët e tij, përpara se të nisë festivali, Bronson ka postuar në Instagram një fotografi të stërgjyshit të tij, shkrepur afro njëqind vjet të shkuar.

Bronson në Prishtinë. Foto: Fahredin Spahija

Duket se ka hezituar të përgjigjet rreth një bashkëpunimi të mundshëm me rreperë të Kosovës, duke thënë se më mirë do të bashkëpunonte me një piktor “për të pikturuar vendet e bukura që kemi”, por nuk e ka fshehur emocionin që ka marrë nga dy bashkëkombësit nga fusha e futbollit Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri në ndeshjen e Zvicrës kundër Serbisë në Kupën e Botës “Rusi 2018”. “Jam ndier tejet krenar, me kanë bërë të qaj. Të dëgjosh rrëfimet se si janë dëbuar në luftë baballarët e tyre, është emocionuese”, ka komentuar shqiptaro-amerikani.Ai ka premtuar për të pranishmit që e dëgjonin në konferencën për shtyp, se edhe bashkëshortes së tij të ardhshme, e cila është me origjinë kolumbiane, do i mësojë traditat shqiptare.

Bronson do të ngjitet në skenën e festivalit “Sunny Hill” në parkun e Gërmisë, më 11 gusht. Prania në këtë festival organizuar nga “Sunny Hill Foundation” i ka kushtuar rreperit anulimin e të gjithë performancave të tjera. Në vitet e fundit, 28-vjeçari nga Queens është bërë një nga personazhet më karizmatikë dhe të larmishëm të hip-hopit, falë  edhe sensit të shkëlqyer të humorit.

Do të përfitojë nga koha e qëndrimit në Prishtinë për të regjistruar një prej një prej emisioneve të tij “F*ck that’s Delicious”, seria  e të cilit do të transmetohet me të përfunduar festivali. Bronson është bërë i njohur si personazh televizioni në dy  emocionet e tij me natyrë talk-variete “ The Untitled Action Bronson Show” si edhe programin e udhëtimeve  “Fuck, That’s Delicious”, në Viceland. Më shtator të 2017-ës, Arslani botoi librin e tij të parë, bazuar në shfaqje ne tij të udhëtimeve, një libër gatimit, gjithashtu i titulluar “Fuck, That’s Delicious”.

Krahas karrierës televizive Bronson  ka publikuar  albume  si Rare Chandeliers (2012), Saaab Stories dhe  Mr. Wonderful, në vitin 2015. Njohës i mirë i muzikës,  u rrit duke admiruar artistë si Kool G. Rap, Cam’ron dhe Mobb Deep,por nuk e kishte parashikuar se do të merrej edhe vetë me rap, derisa disa vite më parë krijoi një këngë satirike që rezultoi mbresëlënëse. Pasi një këmbë e thyer e detyroi të rrinte  jashtë kuzhinës, nisi seriozisht  të shkruante këngë.

Më 2011-ën, New York Times e lëvdoi Bronsonin si “një nga perspektivat më premtuese të hip-hopit njujorkez”. Duket se Bronson e ka lëshuar atë  potencial. Në gusht të vitit 2012, Bronson firmosi marrëveshjen me shtëpinë diskografike Vice/Warner Bros Records. Kur  hodhi  disa copa mishi nga restoranti i famshëm i mishit të Peter Luger-it, në një turmë të çmendur në Music Hall, në Williamsburg, luzma e patinatorëve, budallenjve, fanatikëve të rap-it dhe vajzave të reja ishin  dëshmi e joshjes së tij.

Jo vetëm ushqimet, janë kryefjalë e teksteve në këngët e tij, por parapëlqen të bëjë shpesh hamendësime, edhe të errëta,  mbi  atletë dhe ekipe sportive, bodybuilder-ë profesionistë, patinatorë apo  mbi bastet sportive.Flokëkuqi  i vrazhdë, me humor të errët, i përkushtuar njëlloj si pas ushqimit dhe muzikës rap,  po kthehet në një yll ndërkombëtar të muzikës dhe një tjetër shembull i talenteve me origjinë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë