Gazeta Si - Marjeta Karaj ka mohuar të ketë urdhëruar dhunimin, vrasjen dhe pastaj djegien e trupit të Menduh Kurt-Dedës, por togat e zeza kanë vendosur ta lënë në burg këtë të shtunë.
Bashkë me të, e njëjta masë sigurie u dha nga Gjykata e Tiranës edhe për njërin prej autorëve të krimit makabër 5 vjet më parë në zonën e Dajtit, Gazmir Ngota.
Në kërkim, policia ka shpallur djalin e 56-vjeçares, Besmir Karaj si bashkëpunëtor në krim, i cili rezulton të jetë jashtë Shqipërisë.
Në zonën e Kodër Shupalit në maj 2017, 61-vjeçari, Mehdi Shaban Kurt-Deda u dhunua barbarisht dhe u lidh me zinxhirë në njërën prej pemëve, e më pas u dogj për së gjalli.
Krimi është zbardhur 5 vjet më vonë. Policia tha se shkak i ngjarjes së rëndë do të bëhej një borxh i pashlyer në vlerën e afro 10 mijë eurove që viktima i kishte shtetases Marjeta Karaj.
Mbetjet kockore të gjetura në atë kohë vendngjarje zbuluan identitetin e viktimës.
61-vjeçari punonte në një organizatë me Marjeta Karain, e cila ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen gjate marrjes në pyetje nga policia.
Por ka qenë i arrestuari tjetër Gazmir Ngota, i cili ka pranuar se ka marrë pjesë në dhunimin e më pas djegien për së gjalli të Kurt-Dedës.
Policia thotë se Marjeta Karai ka qenë e pranishme kur viktima është marrë me forcë në makinë, por jo kur është vrarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.