Nga Gazeta Si – Festim Bexhdili është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit .Ai është shpallur fajtor për rrëmbimin me pasojë vdekjen dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar 2020.
Ende sot e kësaj dite nuk është gjetur trupi i Jan Prengës. Për këtë ngjarje në kërkim janë 7 persona, mes të cilëve Gentian Funiqi dhe Dritan Rexhepi, si porositës të rrëmbimit.
Prokuroria pretendoi në seancë se Bexhdili, referuar kamerave të sigurisë në ambientet e resortit në pronësi të Altin Hajrit, ka pastruar vendin e krimit, ka gjetur kazmat dhe lopatat, duke kërkuar për vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin.
SPAK edhe pse ende nuk ka trupin e Jan Prengës, argumentoi para gjykatës se për shkak të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike, ka dalë në përfundimin se ai ka humbur jetën.
Prokuroria e Posaçme tha se dyshon që Festim Bexhdili e di vendin ku është fshehur kufoma e Jan Prengës, por si bashkëpunëtor i grupit kriminal, nuk e tregon atë.
Hetimet treguan se shkak për ngjarjen u bë grabitja e një sasie kokaine në portin Portsmuth në Angli, grabitje për të cilën Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi, fajësonin vëllain e Jan Prengës, Astrit Prengës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.