Drejtësia

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, Dritan Rexhepi refuzon të dëshmojë në gjyqin ndaj Altin Hajrit

Gazeta Si – Dritan Rexhepi ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore për të mos dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Altin Hajrit, që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.

Hajri po gjykohet në mungesë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.

Rexhepi, i cili është i përfshirë në një proces paralel për të njëjtën ngjarje, u paraqit në sallën e gjyqit si i bashkëpandehur në një çështje të lidhur.

I pyetur nga trupi gjykues nëse pranon të japë dëshmi, ai zgjodhi të mos dëshmojë.

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Aldo Majnishta, një tjetër i pandehur për këtë çështje, i cili gjithashtu refuzoi të dëshmojë.

Për shkak të mungesës së dëshmive dhe të disa personave të thirrur, seanca u shty për në datën 12 maj, kur pritet të përsëriten thirrjet për familjarët e Jan Prengës, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë. Gjykata synon të sigurojë dëshmitë e tyre si pjesë e procesit hetimor.

Në këtë proces ka dëshmuar Festim Bixhdili, kopshtari i resortit “Golden” në Shijak, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në lidhje me këtë çështje.

Në këtë proces gjyqësor po gjykohen edhe Dritan Rexhepi, Aldo Majnishta, Gentian Funiqi, Martin Bleta, Korado Gështenja, Artan Doçaj dhe Geraldo Martini.

Hetimet treguan se shkak për mbajtjen peng të Jan Prengës, u bë grabitja e një sasie kokaine në portin Portsmuth në Angli, grabitje për të cilën Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi, të konsideruar si porositës të krimit nga SPAK, fajësonin vëllain e Jan Prengës, Astrit Prengën.

Edhe pse në mungesë të një kufome, gjykatat argumentuan se për shkak të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike, Jan Prenga ka humbur jetën.

Sipas gjykatës, Bexhdili ka pastruar vendin e krimit, ka siguruar mjetet dhe ka kërkuar për vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin më Kamzë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë