Drejtësia

Rrëmbimi dhe vrasja e biznesmenit, Apeli nuk e ndryshon dënimin për Fredi Rrushin

Gazeta Si - Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 15 vjet burg ndaj Fredi Rrushit, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, trupi i pajetë i të cilit u gjet pas malit të Dajtit në nëntor të vitit 2021 me një plumb në kokë.

Vendimi i Shkallës së Parë ishte ankimuar nga babai dhe i biri i viktimës, por Apeli vlerësoi të mos pranojë animin për mungesë legjitimiteti.

Në korrik 2023, Gjykata e Tiranës dënoi me 15 vite burg Fredi Rrushin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar shkoi në 10 vite burg. Në pretencë prokuroria e kryeqytetit kishte kërkuar 18 vite burg për Rrushin.

Trupi i pajetë i 43-vjeçarit, i cili ishte biznesmen në fushën e inerteve në Tiranë, u gjet më 6 nëntor 2021, pasi ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij dy javë më parë.

Hoxha kërkohej prej 24 tetorit 2021, tri ditë pasi familjarët kishin humbur kontaktet me të. Njeriu i fundit që takoi Hoxhën ishte Ferdinant Rrushi, i cili pretendonte se e kishte lënë mikun e tij në zonën e Treshit në Tiranë.

Për herë të fundit Hoxha ishte fiksuar nga një kamera sigurie në zonën e autostradës Tiranë-Durrës pranë një biznesi.

Fillimisht, ishte djali i tij që referoi rastin në komisariatin numër 5 për t’u regjistruar më pas në Policinë e Tiranës.

Nga kërkimet e kryera, policia ka mundur të gjejnë kartën sim të telefonit të Hoxhës përmes së cilës janë zbuluar dhe komunikimet e fundit të tij. Mes tyre ishte edhe një telefonatë me shtetasin Fredi Rrushi, i skeduar nga drejtësia italiane për trafik droge.

Fredi Rrushi akuzohet për tri vepra penale, "vrasje", "armëmbajtje pa leje" dhe "fshehje të kufomës". Rrushi mendohet të ketë shkuar bashkë me një mikun e tij në Malin me Gropa dhe ta ketë ekzekutuar biznesmenin Hoxha.

Mëngjesin e ditës tjetër, ai u kthye sërish në vendngjarje dhe groposi kufomën. Sipas hetuesve, autori Fredi Rrushi mori telefonin e Ruzhdi Hoxhës dhe e hodhi, por ai u gjet rastësisht nga një taksist që e shiti për 10 mijë lekë në një servis, ku policia e gjeti dhe e sekuestroi.

Kjo ndihmoi në zbulimin e kufomës e më pas në zbardhjen e vrasjes, e cila ka dyshohet se ka pasur si shkak borxhet që viktima kishte ndaj Fredi Rrushit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë