Ka nisur sërish gjykimi për 61-vjeçarin Byniamin Hajro, i cili akuzohet se në vitin 1997 rrëmbeu, torturoi dhe dogji të gjallë dy të rinj. Prokuroria e Beratit kërkon dënimin e tij me 25 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’.
Më gusht 2019, Biniamin Hajro u ekstradua nga Gjermania pas 21 vitesh në kërkim nga autoritetet shqiptare. Hajro ka qenë në listën e 16 personave më të kërkuar në qytetin e Beratit. Ai akuzohet për vrasjen e dy të rinjve Arjan Avdullai dhe Eduart Pema.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në përfundim të hetimit, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit B.H., për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal ndaj viktimave E.P. dhe A.A., në vitin 1997 dhe dënimin e tij me 25 vjet burgim.
Në kuadër të procedimit penal nr. 175 për vrasjen e dy shtetasve më 03.06.1997, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, ka prova të mjaftueshme se i pandehuri B.H., ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.
Nga hetimet rezultoi se i pandehuri, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, pasi i kanë rrëmbyer viktimat E.P. dhe A.A., i kanë futur në një garazhd dhe i kanë tortuar duke i goditur me mjete të forta, me armë zjarri dhe duke i djegur ata të gjallë, duke iu shkaktuar kështu vdekjen. Pas torturave, autorët e veprës penale i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytet.
Prokuroria provoi se i pandehuri B.H., ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim (dy herë), parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal dhe ka kryer veprën penale duke qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit.
Sa më sipër u arrit në përfundimin se shtetasi B.H., me veprimet e tij të kundërligjshme ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i Kodit Penal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.