Treg

Rregullorja e re, çmimi i sigurimit të makinës do të përcaktohet sipas riskut që ka mjeti

Nga Gazeta 'SI' - Sigurimi i mjeteve do të ndryshojë nga 2025-a dhe jo të gjithë do të paguajnë njësoj.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një rregullore të re që i përcakton tarifat e sigurimeve të detyrueshme të mjetit sipas një liste faktorësh që përcaktojnë rrezikun për dëme.

Pra, për të vendosur tarifën e një police sigurimi kompanitë duhet të kenë parasysh faktorët e riskut si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo

Po ashtu kompanitë mund të shënojnë aty më shumë faktorë risku, sipas analizës së tyre.

Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.

Së bashku me njoftimin për aplikimin e tarifave të reja të primit, shoqëritë e sigurimit duhet të depozitojnë pranë Autoritetit bazën teknike të të dhënave, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e primeve të sigurimit, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë, të paraqitur në formën e një raporti me shkrim.

Kompanitë nuk mund t’i ndryshojnë tarifat më shumë se dy herë brenda një viti kalenderik dhe duhet të publikojnë në faqen e internetit gjatë gjithë periudhës së zbatimit, koeficientët e faktorëve të riskut, shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë, si dhe primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit.

Shoqëritë e sigurimit gjithashtu duhet të mbajnë të afishuara në çdo pikë shitjeje tabelat me primet e sigurimit, të miratuara gjatë periudhës së zbatimit të tyre.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi në 1 janar 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë