Analize

Rregullat e ‘xhunglës’ së Trumpit

Nga Gazeta ‘Si’- 2026 do të jetë një vit kthese. Burimi më i madh i paqëndrueshmërisë globale nuk do të jetë Kina, Rusia, Irani apo ndonjë nga rreth 60 konfliktet që po ziejnë në mbarë planetin (më shumë se në çdo moment që nga Lufta e Dytë Botërore).

Do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky përfundim përshkon të gjithë raportin Top Risks 2026 të Eurasia Group. Vendi më i fuqishëm në botë dhe arkitekti i rendit global të pasluftës tani po e çmonton aktivisht atë rend, i udhëhequr nga një president që është më i përkushtuar – dhe më i aftë – për të riformatuar rolin ndërkombëtar të Amerikës sesa çdo paraardhës modern i tij.

Fundjava e kaluar ofroi një parashije të qartë të asaj se çfarë do të thotë kjo në praktikë. Pas muajsh presioni në rritje – sanksione, një dislokim masiv naval dhe një bllokadë të plotë të naftës – forcat speciale amerikane kapën sundimtarin venezuelian Nicolás Maduro në Karakas dhe e transportuan në Nju Jork për t’u përballur me akuza penale.

Një diktator i rrëzuar dhe i vënë para drejtësisë pa asnjë viktimë amerikane – ishte fitorja ushtarake më “e pastër” e presidentit Donald Trump deri tani.

Trump e ka quajtur tashmë qasjen e tij ndaj Hemisferës Perëndimore “Doktrina Donroe” – versioni i tij i doktrinës së shekullit XIX të presidentit James Monroe, që afirmonte primatin amerikan në kontinentet amerikane.

Por, ndryshe nga Monroe, i cili paralajmëronte fuqitë europiane të mos ndërhynin në “lagjen” e Amerikës, Trump po përdor presion ushtarak, shtrëngim ekonomik dhe larje hesapesh personale për ta nënshtruar rajonin ndaj vullnetit të tij. Dhe kjo është vetëm fillimi.

Kjo nuk është aspak izolacionizëm i tipit “America First”. Paralelisht, SHBA po përfshihet gjithnjë e më shumë – jo më pak – me Izraelin dhe me shtete të ndryshme të Gjirit. Gatishmëria e Trump për të goditur Iranin vitin e kaluar dhe për të ndërhyrë në politikën evropiane nuk përçon aspak idenë e tërheqjes strategjike.

As korniza e “sferave të influencës” nuk e shpjegon plotësisht atë që po bën. Ky koncept nënkupton një ndarje të botës mes fuqive rivale, secila duke qëndruar në “territorin” e vet. Por administrata e tij sapo i dërgoi Tajvanit paketën më të madhe ndonjëherë të armëve, dhe qëndrimi amerikan në Indo-Paqësor nuk tregon asnjë dëshirë për t’ia lënë Azinë Kinës.

Politika e jashtme e Trump nuk funksionon sipas boshtesh tradicionale si aleatë kundrejt kundërshtarëve, demokraci kundrejt autokracive apo konkurrencë strategjike kundrejt bashkëpunimit.

Një llogari shumë më e thjeshtë është në lojë: A mund t’i kundërpërgjigjesh mjaftueshëm fort për ta lënduar njeriun në krye? Nëse përgjigjja është jo dhe ke diçka që ai dëshiron, je shënjestër. Nëse përgjigjja është po, ndoshta mund të bësh një marrëveshje.

Në rastin e Venezuelës, Trump donte ta rrëzonte Maduron dhe nuk kishte asgjë që Maduro mund të bënte për ta ndalur. Ai nuk kishte aleatë të gatshëm për të vepruar, as një ushtri që mund të hakmerrej, as ndonjë levë ndikimi mbi diçka që Trump e konsideronte të rëndësishme. Kështu që u hoq nga pushteti.

Nuk ka rëndësi që e gjithë struktura e regjimit venezuelian mbetet e paprekur, apo që çdo tranzicion drejt një qeverie demokratike stabile do të jetë i ndërlikuar, i kontestuar dhe kryesisht në dorën e vetë Venezuelës për ta menaxhuar – ose keqmenaxhuar.

Trump është i kënaqur që Venezuela të vazhdojë të drejtohet nga i njëjti regjim represiv, për sa kohë që ai i bindet urdhrave të tij (madje, ai e zgjodhi këtë skenar përpara një qeverie të udhëhequr nga opozita). Kërcënimi i heshtur “ose ndryshe” duket se po funksionon deri tani.

Trump sapo ka njoftuar se autoritetet “e reja” të Venezuelës do t’i dorëzojnë SHBA-së 30–50 milionë fuçi nafte, me të ardhurat “të kontrolluara nga unë, si president”. Për më tepër, çdo sukses i mëtejshëm në Venezuelë – sado i kufizuar të jetë – do ta inkurajojë Trumpin të dyfishojë këtë qasje dhe të shkojë më tej, qoftë në Kubë, Kolumbi, Nikaragua, Meksikë apo edhe Groenlandë.

Në skajin tjetër të spektrit është Kina. Kur Trump rriti tarifat vitin e kaluar, Kina u kundërpërgjigj me kufizime eksporti për mineralet e rralla dhe elementët kritikë – përbërës thelbësorë për një gamë të gjerë produktesh civile dhe ushtarake të shekullit XXI. Me dobësitë amerikane të ekspozuara, Trump u detyrua të tërhiqej.

Tani ai synon të sigurojë një marrëveshje me çdo kusht.

Ajo me të cilën po përballemi nuk është një strategji e madhe, por ligji i xhunglës.

Amerika po ushtron pushtetin e saj në mënyrë të njëanshme, kudo që Trump mendon se mund t’ia dalë pa pasoja, e shkëputur nga normat, proceset burokratike, strukturat e aleancave dhe institucionet shumëpalëshe që dikur i jepnin legjitimitet udhëheqjes amerikane.

Ndërsa kufizimet shtohen diku tjetër – votues të zemëruar për koston e jetesës përpara zgjedhjeve të mesmandatit, për shembull, dhe tkurrje e levave tregtare amerikane – Trump është i etur të çimentojë trashëgiminë e tij. Gatishmëria e tij për të marrë rreziqe në fushën e sigurisë, ku mbetet relativisht i pakufizuar, vetëm sa do të rritet.

Hemisfera Perëndimore rezulton të jetë një habitat veçanërisht i pasur me “pre”, ku SHBA ka avantazh asimetrik që askush nuk mund ta kundërshtojë. Trump mund të shënojë fitore të lehta me kosto minimale dhe rezistencë të pakët.

Por qasja e Trump nuk kufizohet vetëm në fqinjësinë e afërt të Amerikës. Nëse nuk ishte tashmë e qartë, kërcënimet e administratës ndaj Groenlandës tregojnë se edhe Europa është në shënjestër. Tre ekonomitë më të mëdha të kontinentit – Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – e nisën vitin e ri me qeveri të dobëta, jopopullore dhe të rrethuara nga populistë brenda vendit.

Me Rusinë në prag, administrata Trump po mbështet hapur parti të ekstremit të djathtë që do ta fragmentonin edhe më tej kontinentin. Nëse evropianët nuk gjejnë shpejt mënyra për të fituar levë ndikimi dhe për të vendosur kosto që Trump i merr seriozisht, ata do të ndiejnë të njëjtin presion që ai po ushtron në Hemisferën Perëndimore.

Për shumicën e vendeve, reagimi ndaj një SHBA-je të paparashikueshme, të pasigurt dhe të rrezikshme është tani një prioritet urgjent. Disa do të dështojnë, disa do të kenë sukses. Për Evropën mund të jetë tashmë tepër vonë për t’u përshtatur, por Kina ndodhet në një pozicion më të fortë, e kënaqur të lejojë rivalin e saj kryesor të dëmtojë vetveten. Presidenti kinez Xi Jinping mund ta përballojë lojën afatgjatë. Ai do të jetë në pushtet edhe shumë kohë pas përfundimit të mandatit të Trump në vitin 2029.

Dëmi ndaj vetë fuqisë amerikane do të zgjasë përtej kësaj administrate. Aleancat, partneritetet dhe besueshmëria nuk janë thjesht “shtesa luksi”. Ato janë shumëfishues force, që i japin SHBA-së ndikim që fuqia e zhveshur ushtarake dhe ekonomike nuk mund ta mbajë e vetme.

Trump po e shpenzon me shpejtësi këtë trashëgimi, duke e trajtuar si pengesë dhe jo si aset. Ai qeveris sikur fuqia amerikane të ekzistojë jashtë kohës dhe sikur bota të mund të riformësohet me forcë, pa pasoja afatgjata.

Por aleancat që ai po shkatërron nuk do të rindërtohen automatikisht kur presidenti i ardhshëm të marrë detyrën. Besueshmëria e humbur e Amerikës do të kërkojë një brez të tërë për t’u rindërtuar – nëse mund të rindërtohet ndonjëherë.

Pikërisht për këtë arsye 2026 është një vit kthese: jo sepse e dimë se si do të përfundojnë gjërat, por sepse tashmë po shohim se çfarë ndodh kur vendi që shkroi rregullat vendos se nuk dëshiron më të luajë sipas tyre.

Burimi: Project Syndicate/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë