Ne rrjet

Rregullat e reja për të punuar dhe jetuar në Britani, nga vizat studentore te përmirësimi i gjuhës angleze

Nga vizat e punëtorëve të kualifikuar te vizat studentore (dhe jo më shumë kujdestarë): të gjitha rregullat e reja në planin e qeverisë laburiste të kryeministrit Keir Starmer

Gazeta Si – Zgjatja nga 5 në 10 vjet e periudhës së nevojshme për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm, me disa përjashtime, dhe shtrëngimi i kushteve për marrjen e vizave të punës.

Këto janë disa nga risitë kryesore në planin e emigracionit të paraqitur nga qeveria britanike (këtu është dokumenti), i cili sipas kryeministrit Keir Starmer duhet të çojë në një reduktim “të ndjeshëm” të numrit të të ardhurve në Mbretërinë e Bashkuar deri në fund të kësaj legjislature.

Si ndryshon viza e punëtorëve të kualifikuar

Një nga zhvillimet e reja, është shtrëngimi i kërkesave për marrjen e vizës së punëtorëve të kualifikuar. Aktualisht, puna duhet të jetë në ose mbi nivelin minimal të kompetencës së “Regulated Qualifications Framework 3”, ekuivalente me afërsisht nivelin A. Ky nivel do të ndryshohet në RQF6, që korrespondon me nivelin e shkallës.

Sipas rregullave të reja, vizat e punëtorëve të kualifikuar do të lëshohen gjithashtu për punë në nivelin RQF3-5, por vetëm për një periudhë të kufizuar dhe nëse komiteti këshillimor i qeverisë për emigracionin gjykon se ka mungesë të punonjësve.

Ndalohet punësimi i kujdestarëve jashtë vendit

Qeveria britanike ka vendosur gjithashtu t’i japë fund të gjithë rekrutimit nga jashtë Anglisë për punëtorë të kujdesit social, si kujdestarët, ose asistentët e familjes, punëtorë që operojnë në shtëpinë e të moshuarve, ose të sëmurëve, duke siguruar një periudhë tranzicioni deri në vitin 2028, gjatë së cilës vizat mund të zgjaten dhe qytetarët e huaj, edhe pse ndodhen në vend, mund të kalojnë në një punë të kujdesit social.

Vizat Studentore

Ndër veçoritë e reja është edhe reduktimi nga dy vjet në 18 muaj i vizës për ata që vendosin të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar pas diplomimit.

Qeveria ka propozuar gjithashtu vendosjen e një takse mbi të ardhurat që universitetet krijojnë nga studentët ndërkombëtarë për t’u riinvestuar në sistemin e arsimit të lartë dhe formimit profesional.

Kërkesat e reja të gjuhës angleze

Niveli i njohurive të gjuhës angleze që kërkohet për të banuar në Mbretërinë e Bashkuar, do të forcohet, sipas asaj që thuhet në dokument.

“Ne duam që njerëzit të përmirësojnë aftësitë e tyre të gjuhës angleze me kalimin e kohës, gjatë qëndrimit të tyre në MB. Ne do të prezantojmë kërkesat për të demonstruar përparimin në nivelin A2 (Përdorues Bazë) për çdo zgjatje të vizës dhe B2 (Përdorues i Pavarur) për qëndrim të përhershëm”, thuhet në dokument.

Afate më të gjata kohore për të drejtën e qëndrimit

Sipas rregullave të reja, njerëzit do të duhet të kenë jetuar në Mbretërinë e Bashkuar për të paktën 10 vjet – aktualisht pesë janë të mjaftueshme – përpara se të mund të aplikojnë për leje qëndrimi të pacaktuar.

“Për vite me radhë, sistemi ynë ka inkurajuar kompanitë që të pranojnë punëtorë të huaj me pagë të ulët, në vend që të investojnë te të rinjtë tanë”, tha kryeministri laburist, Keir Starmer.

“Këto masa do të na lejojnë të rimarrim përfundimisht kontrollin e kufijve tanë”, shtoi ai, duke kujtuar një slogan të dashur për konservatorët dhe mbështetësit e Brexit-it.

Që nga marrja e detyrës, qeveria është zotuar të reduktojë emigracionin e paligjshëm, i cili u përllogarit të ishte 728,000 njerëz midis qershorit 2023 dhe qershorit 2024.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë