“Nëse e ku hundën të madhe, je në pozicion jashtë loje”. Sulmi direkt ndaj VAR-it vjen në mënyrë surprizë nga presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, gjatë një interviste të gjatë për “Daily Mirror”. Ai drejton gishtin kundër teknologjisë në fushë dhe hedh një propozim për të revolucionarizuar futbollin: të ketë një lloj tolerance prej 10-20 centimetrash për pozicionin jashtë loje.
“Do të diskutojmë me arbitrat, – shprehet Ceferin, i cili shpjegon më tej: Nuk kam qenë kurrë një fans i madh i VAR-it. Tani po shohim arbitra anësorë që as e marrin mundimin të ngrejnë flamurin. Vetëm presin, presin, presin. Lojtarët? Ata nuk festojnë, presin më parë VAR-in. Është në rregull, nëse nuk vërshëllehet për një pozicion jashtë loje për një centimetër. Duhet të ketë ndonjë tip avantazhi në çëhhtjen e pozicionit jashtë loje”.
Nga pozicioni jashtë loje, te faulli me dorë brenda zonës, një tjetër temë delikate e futbollit. “Kishim në zyrat tona trajnerët më të mirë dy javë më parë. Ishin Jurgen Klop, Pep Guardiola, Maks Alegri, Karlo Ançeloti, Zinedine Zidane. Shefi ynë i arbitrave, Roberto Roseti, u tregoi një prekje me dorë dhe i pyeti, nëse ishte faull apo jo. Gjysma thanë po dhe gjysma tjetër thanë jo. Kuptohet se sa i qartë është rregulli. Nuk dimë asgjë! Le të marrim shembull ndeshjen e Liverpulit me Mançester Sitin: ishte faull me dorë apo jo? Disa arbitra në Angli nuk konsultohen fare me VAR-in, në Itali qëndrojnë gjysmë ore duke parë. Rrëmujë e madhe. Nuk ka një ndarje të qartë, sepse arbitri nuk është një psikiatër që të kuptojë lojtarin, nëse e ka bërë me qëllim apo jo”, – ka shtuar Ceferin.
“Arbitrat bëjnë gabime, e ndjek futbollin që fëmijë. Gabimet e arbitrave janë si gabimet e lojtarëve. VAR-i në Euro 2020? Për fat të keq po, sepse nëse nuk e përdorim, do të na vrasin. Duhet ta përdorim, sepse në të kundërt skuadrat do të ankohen në rast gabimesh në dëm të tyre”, – ka përfunduar presidenti i UEFA-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.