Euro 2020

Rregulla të forta te Franca, stafi teknik u ndalon seksin lojtarëve

Nga fillimi i Euro 2020, Franca e trajnerit Didier Deshamps jeton brenda një lloj “flluske”, por për fat të mirë Covid-i nuk ka të bëjë. Që kur ka nisur aventura europiane e kampionëve të botës, stafi teknik ka kërkuar që lojtarët të mos kenë kontakt me bashkëshortet, të fejuarat, mikeshat apo të dashurat. Pra, nuk ka seks për francezët. Të gjithë qëndrojnë të mbyllur në hotel dhe për ndonjë kjo situatë ka nisur të bëhet e bezdisshme.

“Është e vështirë për të gjithë, lojtarët dhe stafin, por duhet ta pranojmë”, - ka thënë sulmuesi Antuan Grizman. Izolimi i detyruar që ka nisur me grumbullimin në fund të majit, është i justifikuar edhe me rregullat e rrepta shëndetësore, që në fakt izolojnë gjithë delegacionin. “Nuk mund të takojmë askënd, as familjarët tanë”, - shton më tej Grizman.

Didier Deshamp, trajneri i Francës. Gazeta Si, 28 qershor 2021

“Mungesa e marrëdhënieve seksuale, – ka thënë një burim anonim nga stafi francez për të përditshmen “Le Parisien”, – nuk krijon tension, por është një argument shumë i diskutuar. Edhe sepse të krijon bezdi fakti që nuk mund t’i japësh një të puthuer apo një përkëdhelje një njeriu të dashur. Lojtarët, pjesa më e madhe e tyre, janë të rinj 20-vjeçarë, plot energji, por…”

Bashkëshortet dhe të fejuarat e lojtarëve të Francës maksimumi mund të qëndrojnë në tribunë dhe mund të përshëndesin në distancë të dashurit e tyre në fushë. Te Franca janë ndaluar edhe ditët klasike me familjen, që bëheshin më parë në grumbullim. Dhe kjo situatë duket se do të zgjatë, duke parë që Franca është favorite për të fituar titullin. Deri më 11 korrik duhen edhe gati dy javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë