Motosport

Rrëfimi shokues i Kejsi Stoner: Sa më shpejt garoja, aq më shumë doja të vdisja

Aventurat e tij në pistë do të mbeten gjithmonë në historinë e motoçiklzmit botëror. Por për Kejsi Stoner, dy herë kampion bote, ‘armiqtë’ e vërtetë në jetë nuk kanë qenë as Valentino Rosi dhe as Horge Lorenco.

Beteja personale e kampionit të botës, fizike dhe mendore, ishte kundër dy patologjive: fillimisht ndaj lodhje kronike dhe pastaj ndaj ankthit, i diagnostikuar në vazhdim dhe që e ka dëmtuar gradualisht. “Kishte ditë që isha i sëmurë si një qen, – ka thënë Stoner për podcast-in Gypsy Tales. – Kishte edhe nga ato fundjava, kur sa më shpejt garoja në pistë, aq më shnumë doja të vdisja”.

Ish-piloti australian, Kejsi Stoner. Gazeta Si, 3 shkurt 2022

Dhimbjet dhe ajo lodhje e madhe u kthyen në vuajtje për Stoner. Më pas diagnoza e ankthit. “Në fakt, nuk e dija që ishte një faktor, – ka shtuar dy herë kampioni i botës, në 2007 dhe 2011, – Sinqerisht, mendoja se ishte vetëm diçka që njerëzit e thoshin së për të thënë. Të gjithë janë të stresuar. Kur më kapte ankthi, edhe shpina më bllokohej. E kuptoja kur nuk isha i qetë. Do të ishte shumë më mirë në karrierën time, nëse do të kisha ditur ta përballoja më mirë situatën. Ishte një goditje e rëndë të isha i mbyllur me njerëzit dhe median, sepse nuk kam qenë kurrë i qetë përballë tyre. Turmat nuk më kanë pëlqyer kurrë”.

Një rrëfim shumë i ndjerë dhe i thellë, teksa hedh vështrimin në dy Botërorët e fundit në MotoGP, që me Hondën i dhanë titullin në 2011-ën dhe vendin e tretë në 2012. “Sa më mirë garoja në fundjavë, aq më shumë doja të vdisja – tregon australiani. – Shtrihesha në çimento. Nuk doja të garoja, nuk doja të ndihesha më keq. Më mbërthente fort diçka.

Stoner gjate nje gare. Gazeta Si, 3 shkurt 2022

Shmangja presionin e skuadrës, të gjithë atyre që më kishin ndihmuar. Kisha një skuadër prej 70 personash dhe kur je piloti numër 1 dhe të gjithë presin të fitosh çdo fundjavë, ishte diçka që ndikoi shumë tek unë, pasi përfundova karrierën kuptova pse vuaja aq shumë”.

Stoner ka pranuar se nuk është ende i aftë të bëjë një lidhje mes ankthit dhe simdromës së lodhjes kronike: “Nuk e di akoma saktësisht shkakun, nuk arrij ta tregoj se çfarë po ndodh. Bëra mirë që u tërhoqa”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë