Motosport

Rrëfimi i Barrikelos: Ferrari i gjithi me Shumakerin, kurrë asnjë ndihmë prej tij!

Gazeta Si – Ish-piloti i Ferrarit rrëfen eksperiencën te skuderia italiane dhe marrëdhënien me Mikael Shumakerin. Nuk mungojnë polemikat, ku braziliani thekson se nuk pati asnjë lloj ndihme nga gjermani.

Bashkë me Shumakerin ka përbërë dyshen më fituese te Ferrari në Formula 1. Rubens Barrikelo gjithsesi nuk ka kujtime shumë të mira nga ato 6 sezone që ka kaluar te skuadra italiane. Në atë kohë Ferrari fitoi 5 tituj kampion për konstruktorët, 2000-2005, po kaq edhe titujt për pilotët, të gjithë me firmën e Shumakerit.

Nga ana e tij, Barrikelo ka dalë dy herë në vend të dytë dhe janë rezultate të mira, por jo për brazilianin, sipas asaj që ka deklaruar për podkastin ‘Beyond the Grid’. Ai ka theksuar mes të tjerash se nuk ka marrë kurrë asnjë ndihmë nga piloti gjerman.

Barrikelo, Shumaker dhe Todt. Gazeta Si, 14 gusht 2023

“Kam qenë gjithmonë miqësor dhe në sintoni me të gjithë shokët e skuadrës. Mikael, ndryshe nga të tjerët, nuk më ka mbështetur. Nuk më ka ofruar kurrë ndihmë dhe nuk unë nuk ia kam kërkuar asnjëherë”, – ka thënë Barrikelo, i cili hyn edhe në detaje dhe shprehet se i gjithë Ferrari preferonte vetëm Shumakerin.

“Shumë herë përfundonim një mbledhje dhe pastaj fillonte një tjetër vetëm me Mikaelin. Ishte e lehtë të kuptohej se skuadra ishte e gjitha me të”, – shton ish-piloti i Ferrarit.

Barrikelo pohon se edhe vendimet e skuadrës ishin të gjitha në favor të Shumakerit: “Kontrata ime nuk thoshte asgjë në lidhje me ndalimin e garës me Mikael. Për të mirën time pranova shumë gjëra. Kam refuzuar shumë të tjera, por për disa kam thënë ‘Po’, sepse skuadra po rritej dhe për 6 vjet mendova se do të vinte momenti im”.

Në fund braziliani saktëson: “Mikael ishte më i fortë se unë, nuk ka dyshim. Por ai ishte te Ferrari që në 1996-ën, kishte 4 vjet eksperiencë më shumë dhe Zhan Todt e kishte si djalë. Kështu, për një pilot të ri nuk kishte shumë liri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë