K.Z është nënë e dy fëmijëve, është e martuar prej 16 vitesh, por kohët e fundit bashkëshorti i saj ka përfunduar në burg. E mbetur vetëm me fëmijët dhe me kunatat ajo këmbëngul se ato e rrahin sa herë janë me nerva.
Madje kunatat beqare i kanë dhunuar psikologjikisht edhe fëmijët, pretendon 40 vjeçarja e cila mbasi është paraqitur pranë komisariatit numër 2, nuk ka hezituar aspak por ka denoncuar çdonjërën prej tyre.
Inati mes grave më pas është kthyer në një luftë sharjesh dhe kundër denoncimesh, deklaron policia jo zyrtarisht për Gazetasi.al.
“Rasti më i fundit, – rrëfen në polici 40 vjeçarja – ishte para pesë muajsh, kur kunata mbylli derën për të më lënë jashtë.
Por kur unë e hapa, atëherë ajo mu kthye dhe më rrahu”.
Ky episod pati çaste dhune me duar dhe kapje flokësh dhe nusja e shtëpisë u dëmtua në duar dhe në fytyrë mbasi u gërvisht me thonj.
E gjendur nën sulmin e kunatava gruaja ka lëvizur nga banesa dhe është zhvendosur për të jetuar së bashku me motrën e saj në një shtëpi tjetër. Megjithatë ajo kthehej herë pas here në shtëpinë e saj, për të rregulluar punët. Ky vendim i saj lidhet me durimin dhe pritjen e të shoqit derisa ai të dilte nga burgu.
“Në një nga rastet kur hyra pashë që mungonin orenditë, fola me burrin në burg dhe më tha se të motrat i kishin hedhur në plehra mbasi kishin menduar se nuk duheshin më”. Mbas këtij sqarimi ajo është rikthyer në banesë dhe kësaj radhe është ndeshur me një surprizë tjetër. Brava ishte ndërruar dhe dera nuk hapej. “Nga vrima e çelësit pashë që kishin hequr edhe divanin e fundit dhe për të shmangur konflikte të tjera, erdha në polici të denoncoj motrat e burrit”, – shprehet gruaja e cila i përgjigjet oficerit se nuk e vuri policinë në dijeni më herët mbasi po përpiqej të kishte harmoni në familje dhe mos të hapte luftë me kunatat beqare derisa i shoqi të mbaronte dënimin. Mes veprimeve të policisë nuk ka munguar edhe marrja në pyetje e kunatave, ku më e madhja ka sqaruar se mëria mes tyre nisi nga sjellja e 40 vjeçares mbasi i vëllai u burgos.
Vajza thotë se i kishte rritur fëmijët e vëllait sikur të ishin të vetët dhe se me burgosjen e të vëllait, nusja e shtëpisë kishte hequr maskën.
Çdo veprim i saj lidhej me nxjerrjen nga banesa e prindërve dy vajzat beqare. Kur nuk i futi dot në kurth, atëherë nusja ka ndryshuar taktikë. “Ne punojmë në të njëjtën punë, ja dimë oraret, por ajo iku nga shtëpia dhe përherë vonohej. E pyetëm si i lë fëmijët vetëm dhe ku shkon, pse nuk vjen në shtëpi? Na u përgjigj; jam grua e lirë bëj ç’të dua, shkoj ku dua. Patëm debate dhe ajo më rrahu mbasi ulëriti se nuk na duronte dot në shtëpinë që në fakt është e prindërve tanë dhe vëllai s’ka pasur asnjëherë pretendim ndaj nesh. Kur vërejtëm se ajo ikte e vinte sa herë donte pa adresë dhe pa thënë se ku i çoi fëmijët, atëherë ndryshuam bravën”.
Dy motrat kanë denoncuar sakaq se orenditë si televizori, frigoriferi dhe tavolina ishin marrë nga nusja e shtëpisë.
“Një ditë pashë fëmijët vetëm në kafe dhe mora kunatën i thashë pse i lë fëmijët, ku je, pse i kë lënë fëmijët vetëm dhe ajo u bë keq dhe filloi duke bërtitur”’. Kunata kujton se me këtë rast ishte vënë në ndjekje të nuses së shtëpisë dhe kishte nisur një hetim pa rënë në sy dhe aty kishte kuptuar se kunata në një rast zbriti nga një makinë e paidentifikuar prej saj: “Ky ishte sherri më i fundit, ajo është nusja e vëllait dhe s’mund t’ja bëjë këtë gjë vëllait”, e mbyll beqarja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




