Futboll

Rrëfehet Maldini shqiptar i Arsenalit, nga ‘rruga’ tek futbolli elitës dhe kombëtarja

Nga Gazeta Si- Shumë gjëra në jetë mund të ndryshohen, apo zëvendësohen, përveç simpatisë për një skuadër futbolli, kombëtare, klub apo lojtarë. Dhe nuk është e rrallë për një tifoz që ti vendosë të birit emrin e një ikone futbolli që ka simpatizuar. Kështu ndodhi edhe 18 vite më parë me djaloshin e sapolindur nga prindër shqiptarë me origjinë nga Puka, në Londër. Ata nuk kanë qenë asnjëherë në Itali, pasi kanë emigruar direkt në Angli, thjeshtë i jati e vendosi ta quaj Maldini, si legjenda kuqezi e Milanit, Paolo Maldini. 

Maldini Kaçurri sot do të debutojë me fanellën kuqezi të kombëtares U21, në ndeshjen e fundit në grupe për eliminatoret e europianit ndaj Armenisë. Në prag të këtij takimi ai foli për Gazetasi.al dhe tregoi këtë ecuri të rrallë për një futbollist, që jo sapo filloi futbollin, por kur u bë 16 vjeç e pa veten të veshë fanellën e një klubi profesionist si Fulhami.

“Deri në moshën 16-vjeçare isha pa skuadër, apo me klube të vogla, më pas kalova tek Fulhami dhe pas një viti më mori Arsenali. Isha me fat shumë, por tani më duhet të punoj edhe më tepër pasi është si një ëndërr që jam tek Arsenali, por përveç të tjerave duhet të punoj shumë dhe duhet të luftoj për atë pozicion që kam tek Arsenali. 

Emri i tij, që korespondon me mbiemrin e legjendës italiane, ka bërë shumë jehonë në ditën e debutimit më 25 shtator të këtij viti në Carabao Cup. Gjithçka lidhet me admirimin të babait të tij për Paolo Maldinin edhe pse i biri Maldini shqiptar, ka një tjetër skuadër për zemër. 

“Babi ishte tifoz me Milanin dhe me Paolo Maldinin, ndërkohë unë jam me origjinë nga Puka, domethënë prindërit sepse unë vetë kam lindur në Londër. Unë ndërkohë nuk jam tifoz i Milanit, e njoh si skuadër më pëlqen, por jam tifoz i Arsenalit. Paolo Maldinin e kam parë kur luante nëpërmjet videove sepse nuk kisha lindur kur ai luante dhe më pëlqen t’i ngjaj atij pasi ishte shumë i saktë”, thotë Maldini Kaçurri.

Pas jehonës mediatike ka reaguar edhe vetë legjenda e Milanit, Paolo Maldini, ndaj Maldinit shqiptar, duke i komentuar në Instagram. 

“U ndjeva shumë mirë kur pash komentin e Maldinit aty në Instagram, por nuk kam patur asnjë kontakt me të”, shton 18-vjeçari. 

Prej disa muajsh tani ai stërvitet me ekipin e parë të drejtuar nga Mikel Arteta, dhe në fundin e muajti shtator pati mundësinë për t’u ktivizuar disa minuta në ndeshjen e parë që Arsenali fitoi me Boltonin 5-1. Maldini na tregon më tepër se çfarë i tha trajneri i “Topçinjve” pas asaj ndeshjeje: “Arteta më tha se luajta shumë mirë dhe ishte shumë i kënaqur me paraqitjen time në ato 20 minuta që luajta. Tani të shohim se si do të shkojnë gjërat. Për momentin jam duke qëndruar tek ekipi i parë, po stërvitem me ata, ndërkohë që për ndeshje më tepër shkoj për U21-shin.”

Ai është lojtari i parë shqiptar në historinë e Arsenalit, pasi Xhaka, me origjinë shqiptare, zgjodhi të përfaqësojë Zvicrën dhe Shkodran Mustafi luajti për Gjermaninë. Kacurri ka 5 paraqitje për Shqipërinë U19 dhe 2 për U17. 

“Këtu tek kombëtarja shokët më kanë pitur shumë mirë dhe ndihem edhe vetë shumë mirë. Unë i kam të dyja pasaportat anglezen dhe shqiptaren, por as e mendoj, dua të luaj vetëm me Shqipërinë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë