Futboll

Rrëfehet i penduari për trukim ndeshjesh në Itali: Isha në ferr! 

Pas një kohe të gjatë heshtje, flet i penduari i çështjes së trukimit të ndeshjeve në Itali gjatë viteve 2010-2011, Filipo Karobio. Duke u rrëfyer, ai futi në telashe kolegët dhe trajnerin Konte, në atë kohë trajner i Sienës dhe që u dënua me 10 muaj, pasi kishte dijeni për atë që po ndodhte dhe nuk denoncoi. Karobio ka pranuar se ka trukuar ndeshje, kur luante me Albinolefen dhe Groseton.

Data 19 dhjetor 2011, ora 4:30 e mëngjesit. Filipo Karobio, mesfushor i nivelit të mesëm, me 32 ndeshje në Serinë A me fanellën e Rexhinës dhe shumë vite karrierë në Serinë B, sapo është kthyer në shtëpi, pas fitores me Specian në Latina. Nuk ka kohë të veshë pizhamet, sepse troket porta. Jashtë janë 6 policë. "Zoti Karobio, jeni i arrestuar për trukim ndeshjesh”, - i thotë njëri pre tyre. Është fillimi i fundit. Karobio është mes lojtarëve, trajnerëve dhe drejtuesve, që prej qershorit të vitit 2011 janë hetuar nga Prokuroria e Kremonës dhe Barit për manipulim ndeshjesh, vënie bastesh të paligjshme dhe në rastin më të mirë për mashtrim sportiv. Në këtë histori është përfshirë edhe mafia ballkanike dhe aziatike. Karobio bën 9 ditë burg dhe më pas lihet i lirë, pasi rrëfen gjithçka, duke përmendur edhe emrat e miqve, kolegëve dhe mbi të gjitha të një trajneri, juventinit Antonio Konte, i cili drejtonte Sienën. "Pipo”, siç e thërrasin, është konsideruar një i penduar dhe me këtë status ai ka marrë dënimin prej 18 muajsh në nivel penal dhe 26 muaj në nivel sportiv. Karriera e tij është kompromentuar jo vetëm për atë që ka bërë, por më shumë për atë që ka thënë. Është kthyer në fushë në vitin 2014, në Serinë D, me Çilivergen, që i ka mundësuar të nisë edhe karrierën si trajner.

Filipo Karobio (në mes), i shoqëruar nga avokatët e tij, duku u futur në Gjykatën e Kremonës

“Kur u arrestova, - shpjegon Karobio, - flitej për 6 muaj dënim. Emri im nuk kishte dalë ende në gazeta, por e dija atë që kisha bërë: kisha marrë para për të manipuluar ndeshjet e skuadrave të mia, Albinolefes dhe Grosetos. Por, nuk e imagjinoja se do të përfundoja në pranga, sepse shumë persona kanë bërë të njëjtin gabim si unë. ‘E bëjnë të gjithë', justifikoheshim. Nuk mendonim për pasojat, madje ishim të bindur se nuk do të ndodhte gjë, sepse deri në atë moment rregulloheshin ndeshjet edhe për interes të klasifikimit dhe nuk ndodhte asgjë. Duhet kuptuar se futbollistët jetojnë në një botë paralele, disi jashtë realitetit. Nuk i kuptojnë problemet e njerëzve “normalë” dhe ndihen të paprekshëm. Kur hapa derën dhe polici më komunikoi arrestimin, kuptova se kishte përfunduar gjithçka, nuk do të luaja më si profesionist. Në të njëjtën kohë policët hodhën nga krevati bashkëshorten time, Elenën. Fëmijët, Xhakomo 3 vjeç dhe Adelaide 1 vjeç, po flinin dhe fatmirësisht nuk kuptuan asgjë.

Kur në rajon më bënë fotot, më dukej si një film. Gjatë rrugës për në burgun e Kremonës kuptova se duhej të thosha të vërtetën. Për të mirën e të gjithëve, mbi të gjitha të familjes sime. Mendimi i vetëm që kisha në kokë ishte: a do të ma japin mundësinë të tregoj se nuk jam një kriminel, një person i keq? Isha nja djalosh budalla, që mendoja se kisha bërë një idiotësi, që në fakt përbënte vepër penale. Është njësoj sikur të përdorësh celularin ndërkohë që po i jep makinës: nëse nuk ndodh asgjë, ke bërë një idiotësi, por po përplase një person dhe ai humb jetën, është një vrasje”, - rrëfen i penduari.

Karobio, kur luante me Sienën

Më tej Karobio tregon me detaje netët në burg: “Kur hyra në burg, impakti ishte shumë i fortë. Qëndrova 9 ditë. Është e vërtetë se pa burgun pak persona do të kishin folur, por edhe përdorimi i burgut për të çuar te rrëfimi që ata duan, për mua është i gabuar. Sepse nuk kishin të bënin me një kriminel. Në qeli me mua ishte Masimo, një burrë rreth të dyzetave. Nuk e kujtoj se çfarë kishte bërë. Ai më fliste, por unë e kalova gjithë kohën duke fjetur, sepse kur fle nuk mendon, dhe duke qarë. Dilja vetëm për të bërë dush, rrija në qeli edhe kur ishte ora e ajrosjes. Fola disa herë me psikologun dhe do të kujtoj përgjithmonë takimin me bashkëshorten dhe përqafimin me të. Mendoja se do të dilja nga burgu më 24 dhjetor, por më mbajtën edhe për Krishtlindje. Atë ditë të burgosurit mund të drekonin me kë të donin në qelitë e tjera. Masimo preferoi të rrinte me mua, që të mos isha vetëm. Nuk e harroj këtë. Ka një solidaritet të madh mes të dënuarve. Nëse prapa nuk do të kishte drama njerëzore, ajo e burgut është një përvojë që të gjithë duhet ta provojnë. Unë u përmirësova shumë si njeri”.

Karobio tregon pastaj ambientin që gjeti pas burgut: “Mund të thonë se nuk kam qenë një lojtar i zoti, që nuk jam një trajner i zoti, por askush nuk mund të thotë kurrë se nuk jam një person i zoti, një prind i zoti. Fëmijët e mi, duke u rritur, duhet të jenë krenarë për mua, për atë që kam bërë pas arrestimit. Jo para, por pas me siguri. U ndjeva i braktisur nga ambienti i futbollit. Për atë që thashë, jo për atë që kisha bërë. Nëse nuk do të kisha treguar gjithçka, nëse nuk do të përfshija të tjerë kolegë, nëse do të bëja viktimën, siç kanë bërë të tjerët, nuk do të isha i qetë. Nëse do të heshtja, nuk do të isha dënuar penalisht, do të isha si të tjerët në procesin e shkallës së parë dhe do të prisja zhvillimet. Mund të sillesha edhe unë si viktimë e gjykimit të keq. Nëse do të kthehesha pas në kohë, do të bëja të njëjtën gjë, për të mos e kaluar pjesën e mbetur të jetë në torturë, sepse kisha gënjyer fëmijët e mi. Tani atyre mund t’u them se babai i tyre ka qenë një gomar dhe mund t’i ndihmoj të mos gabojnë. Nuk mund ta bëja gjithçka i vetëm dhe në momentin kur vendosa të them të vërtetën, duhej patjetër të thosha emrat e bashkëpunëtorëve. Më vinte për të qeshur kur shihja njerëz të përfshirë në atë çështje si unë, që bënin moralistin. Dikush ka përdorur edhe fëmijët për të treguar se ishte i pastër... Me Antonio Konten nuk kisha probleme, kam treguar fakte të jetuara personalisht në atë periudhë. Në atë moment çështja u bë shumë mediatike dhe kisha frikë për veten dhe familjen. Në rrjetet sociale u publikuan foto të shtëpisë sime, adresa, numri i telefonit dhe adresa elektronike. Ishte një ferr, që nuk ia uroj askujt".

Antonio Konte, kur drejtonte Sienën

“Të kthehesha në normalitet, ishte e vështirë. Zbulova që pas paktit që bëra në Kremona, më ishte dhënë edhe një dënim tjetër, më i rëndë për t’u pranuar nga ana ime. E kisha të ndaluar të futesha në një qendër sportive për 5 vjet. Për këtë arsye e çova djalin tim për herë të parë në stadium më 31 gusht, në ndeshjen Milan-Roma. Xhakomo është 10 vjeç, luan me Virtus Bergamo dhe është milanist. Ta shihja të lumtur të ndante pasionin e tij më të atin, ishte një emocion i madh. Kur ai nisi shkollën fillore disa vite më parë, vendosa t’i tregoja të vërtetën, pasi kisha frikë se do të mësonte për burgun nga ndonjë shok i tij. 'Çfarë ke bërë? Godite me grusht ndonjë arbitër? More ndonjë karton të kuq gjigant?', - më pyeste. Kur i thashë se isha në burg, ngaqë kisha marrë para për të humbur, ai më tha: 'Jo, këto gjëra nuk bëhen, ta kanë bërë mirë që të kanë dënuar'. Kurse unë i iu drejtova: 'Xhakomo, babai ka qenë një gomar, por t’i nuk mund t’i bësh ato gjëra. Nëse dikush t’i kërkon, duhet të mi thuash mua. Ishte një leksion jete. Ishte një leksion jete edhe të shkoja të flisja për rastin tim në liceun “Gandini-Verri” të Lodit. Më ngjethet mishi, kur kujtoj duartrokitjet në momentin që se, sipas meje, është e drejtë që atij që ka gabuar dhe ka paguar t’i jepet një mundësi e dytë për të treguar se është përmirësuar. Gjeneratat e reja janë mendërisht më të hapura. Në fund, përfaqësuesi i studentëve më tha: 'Ishte takimi më i bukur nga ata që kemi organizuar në këto vite'. Ajo eksperiencë më ka mbushur me gëzim dhe do të doja ta përsëritja edhe në shkolla të tjera.

Filipo Karobio, aktualisht trajner i Çiliverge në Serinë D

Andrea Mazielo i Atalantës është ndër të vetmit nga të dënuarit që është kthyer të luajë në Serinë A. Jam i kënaqur që atij i është dhënë një shans i dytë. Natyrisht, gjithçka lidhet gjithmonë me rezultatin. Nëse nuk do të ishte një lojtar i fortë, nëse nuk do kthehej në nivele të larta, sot do të ishte i përçmuar dhe i sulmuar si unë. Një shans të dytë e pata në Serinë D, me Çilivergen, që e falënderoj. Së pari, më afroi si lojtar dhe tani më ka besuar si trajner. Për të kaluar te profesionistët duhet shumë punë, e di. Do të doja ta bëja me Albinolefen, sepse jam në borxh me atë klub. Nëse kthehem tek Albinolefe, do të thotë se ekziston falja, edhe pse shoh që dikush nuk e ka qejf faljen. Nuk dua ta ekzagjeroj, por është më e lehtë të falësh një kriminel se një të penduar për trukim ndeshjesh. Dikush mendon se trukimi i ndeshjeve më ka bërë të pasur, por është e kundërta. Do të isha i pasur, nëse do të kisha mbetur jashtë. Do vlerësohesha nga të gjithë, nuk do të më mungonte asgjë. Për të mbajtur familjen duhet të punoj, në futboll ose jashtë tij".

Por e gjitha kjo histori i ka sjellë edhe diçka të mirë Karobios: “Prej pak kohësh jam konsulent i Komisionit të Etikës dhe “fair-play”-it i Federatës së Futbollit në Ukrainë për të luftuar fiksimin e ndeshjeve. President është Françesko Baranka, kurse si ekspertë punojnë Simone Farina, i vlerësuar nga FIFA pasi denoncoi një ofertë për trukim ndeshjesh, dhe Piero Valanxuolo. Unë shoh videot e ndeshjeve të dyshuara dhe bëj një raport. Falë edhe ndihmës time, në muajt e fundit në Ukrainë po hetohen 500 persona. A jam i lumtur sot? Jo, nuk jam. Me kalimin e kohës jam mësuar të bashkëjetoj me këtë plagë, që në fakt është e madhe dhe çdo ditë më vijnë shumë mendime në kokë. Por e ndjej që jam një person më i mirë. Nuk jam një engjëll, por nuk mund të konsiderohem një djall përgjithmonë”.

Nga ndeshja Albinolefe-Siena, e hetuar për trukim

Pas “Calcciopolit” të famshëm të 2005-ës, kjo histori tjetër e trupimit në futboll bëri bujë në vitin 2011 në vendin fqinj dhe jo vetëm. Bashkë me Karobion u arrestuan edhe disa lojtarë të tjerë të akuzuar për trukim ndeshjesh në Serinë B, Karlo Xhervazoni, Zhoze Injacio Zhoelson etj., por askush tjetër nuk pranoi të thoshte të vërtetën atëherë. Ndeshja Albinolefe-Siena ishte në qendër të hetimit. Tani, pas shumë vitesh, vetë i penduari Karobio ka treguar pse vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë. Pas tij u pendua edhe Andrea Mazielo.  

Historia e trukimit të ndeshjeve është mjaft e njohur edhe në Shqipëri. Në këtë moment kemi një ekip të dënuar me 10 vjet jashtë Europës nga UEFA për trukim ndeshjesh, Skënderbeun. Beteja ligjore vazhdon në KAS, ndërkohë që në raportet e ekspertëve të fushës kanë përfunduar edhe shumë skuadra të tjera shqiptare që kanë luajtur në Kupat e Europës. Rasti më i freskët është ai i Luftëtarit në Europa League. Për trukim është folur shpesh edhe për ndeshjet të kampionatit shqiptar, madje ka pasur edhe pamje që kanë bërë xhiron e botës dhe FSHF-ja është mjaftuar me dënimet individuale të të famshmit Komision i Etikës. Deri tani, askush nuk është penduar dhe të marrë guximin të tregojë të vërtetën e madhe, siç ka bërë Filipo Karobio në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë