Futboll

Rrëfehet Ademi: Atë që më bënë s’ua fal kurrë, ndeshjet e Kosovës u ndikuan nga arrestimi im!

Rreth një muaj më parë bota e futbollit shqiptar u trondit nga lajmi se Agim Ademi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, u arrestua për shpërdorim detyre dhe shmangie nga taksat për institucionin që ai drejton.

Mediat nga Kosova raportuan se Policia e Kosovës kishte arrestuar kreun e Federatës së Futbollit, Agim Ademi. Sipas tyre, Ademi u mor në shtëpinë e tij, në fillim u raportua për një ndalim 48-orësh, ku ai natën e kaloi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Një arrestim që bëhej pak ditë përpara debutimit të Kosovës në eliminatoret e kampionatit europian, por nuk përfundoi këtu, pasi Agim Ademi u dënua me 1 muaj arrest shtëpie, duke i parë këto ndeshje zhgënjyese të “Dardanëve” me Izraelin në transfertë më 25 mars 1-1 dhe më 28 mars, në Prishtinë, me Andorrën po 1-1, nga televizori.

Agim Ademi dhe Armand Duka. Gazeta Si, 24 maj 2023

Më 18 prill Agim Ademi fitoi lirinë, pas përfundimit të hetimeve, ku sipas gjykatës, kreu i Federatës së Kosovës nuk lidhet direkt me pretendimet për evazion fiscal. Për këtë arsye ai është rikthyer menjëherë në vendin e punës.

Në këtë intervistë të parë pas kësaj ngjarjeje jo të zakontë, për “Gazetën Si” Ademi rrëfen gjithçka. Ajo ngjarje kaq e bujshme në fund nuk solli asnjë rezultat për akuzat e pretenduara.

“Në fakt futbolli ka problematikat e veta, – tregon Ademi, – kjo edhe për faktin që është sporti numër 1 në të gjithë botën. Duke qenë i tillë, edhe te ne ka interesa të ndryshme, kjo edhe për masivitetin. Me këtë dua të them se është një sfidë e madhe të jesh në krye të futbollit sot, jo vetëm në Kosovë por kudo. Në vende si tonat, është edhe më problem.

Nuk e kam përjetuar aspak mirë atë situatë, por për fat gjërat shkuan mirë. Nga ana e imazhit më ka dëmtuar sigurisht, edhe pse dua të them që në një farë mënyre u mësova me këtë ambient me presione e me situata të tilla. Forcën time e gjej te drejtësia, te puna dhe te komuniteti im që më ka mbështetur. Ishin të gjitha klubet ato që bënë një rrethim të federatës, një bllokadë për atë kohë që unë isha në arrest shtëpie”.

Po familja juaj si e përjetoi këtë ngjarje?
Unë dhe familja ime nuk ishim mësuar ndonjëherë me situata të tilla. Kam një jetë në futboll dhe nuk kisha përjetuar ndonjëherë një situatë si kjo. Nuk ma kishte marrë mëndja që për interesa personale të më vërsuleshin njerëzit deri në këtë pikë. As e kisha besuar, as e kisha menduar, është e habitshme se si kanë arritur të shkojnë deri këtu. Unë dhe familja ime e përjetuam shumë keq, pasi janë gjëra që kalojnë përtej futbollit dhe përtej postit që unë kam, kjo është diçka personale dhe përderisa kemi arritur deri këtu unë nuk e fal.

Agim Ademi. Gazeta Si, 24 maj 2023

Pas shiut del dielli, thonë dhe në fakt pas këtyre ngjarjeve ju fituat lirinë, por edhe Federata e Futbollit të Kosovës, më në fund u licencua…
Për fat të mirë kemi drejtësi dhe kemi shtet, mund të them që për këtë jam i lumtur, pasi drejtësia gjithmonë triumfon. Më në fund, u ndoq edhe logjika dhe arsyetimi për licensimin e Federatës, sepse është një kriter që duhet të plotësohet. Kemi edhe disa klube, të cilat nuk e kanë arritur licensimin, por ne jemi duke i qëndruar pranë që ta bëjnë edhe ato.

jëja më e mirë tek ne është ligji i sponsorizimit, një ligj që është i kushtëzar me licensimin. Kjo u ka sjellë vështirësi financiare këtyre klubeve, por kanë qëndruar korrekt dhe unë dua t’i falenderoj shumë. Ato kanë besuar tek unë, pasi ne kemi një bashkudhëheqje të federatës me klubet, gjithçka e kemi transperente. Çdo gjë që dikush do të dijë, e gjen në faqet tona online dhe kjo i ka bërë klubet të kenë besim dhe unë t’u qëndroj pranë.

Do të mundohem t’i ndihmoj sa më shumë edhe me fonde, duke kërkuar e aplikuar për projekte në FIFA dhe UEFA, për të zbutur disi krizën financiare që është krijuar në këtë vit të fundit. Klubet i kanë marrë lekët, por duke qenë se nuk kanë mundur të licensohen, duhet t’i kthejnë prapë. Kështu që do t’i zgjidhim edhe këto probleme, pasi futbolli nuk është i një njeriu dhe t’i bëjmë keq për shkak të një njeriu, futbolli është i të gjithëve dhe duhet ta trajtojmë ashtu. Nuk duhet të harrojmë që futbolli është gjithashtu një imazh i shtetit, pasi bëhet fjalë për një komunitet të madh, i cili në Kosovë shkon në 35.000 deri në 40.000 vetë dhe nuk është pak për shtetin tonë.

Ju dy ndeshjet e para të përfaqësueses së Kosovës i ndoqët nga shtëpia, nën statusin e të arrestuarit. Nga ana tjetër, edhe skuadra nuk mori rezultatet e pritura.
Tani kemi çështjen e përfaqësueses së Kosovës, që i kemi kushtuar një vëmendje shumë të madhe. Kemi filluar një fushatë, së bashku me Ministrinë e Sporteve të përkrahim djemtë, sepse jemi në një grup që e kemi konsideruar që mund t’ia dalim. Ne e kemi kualitetin dhe formën, gjithashtu ia kemi lehtësuar sa më shumë punët për të na bërë të mundur që të shkojmë në kampionatin europian.

Por ngjarja ime ndodhi pak përpara ndeshjeve dhe sigurisht që pati shumë ndikim, sado jemi munduar që t’i mbajmë djemtë sa më larg këtyre problemeve. Unë ia vë fajin edhe kësaj ngjarjeje të mungesës së rezultateve pozitive në këtë fillim të fushatës eliminatore, siç ishte ajo ndeshje me Andorrën që dolëm barazim, një rezultat që nuk e priste askush.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë