Futboll

Prezantimi zyrtar, Rrahmani: Luaj ku të dojë trajneri, për Napolin nuk u mendova dy herë

Në krah të sulmuesit Victor Osimhen, i cili është edhe blerja më e shtrenjtë në historinë e Napolit, mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, në konferencën për shtyp pranoi se nuk u mendua dy herë për t’i thënë “po” Napolit.

Amir Rrahmani u ble nga Napoli që në muajin janar për 14 milion euro, por qëndroi te Hellas Verona në huazim deri në fund të sezonit. Mbrojtësi i Kosovës ishte zbulim në Serie A, me statistikat më të mira, në duelet e fituara dhe duelet ajrore.

Transferimi- “Nuk e kam pritur, ishin shifra shumë të larta dhe që tregojnë tipin e lojës që kemi bërë vitin e shkuar me Hellas Verona. Kam kaluar një sezon mjaft të mirë dhe Napoli shprehu interes për mua, që 2-3 muaj pas nisjes së kampionatit. Menjëherë pasi menaxheri im më vuri në dijeni për ofertën e tyre, nuk u mendova dy herë për të pranuar’’.

Pikat e forta- “Jam lojtar agresiv, i fortë në duelet ajrore, por edhe në tokë. Këto janë karakteristikat e mia. Në sezonin e parë në Itali kam gjuajtur shumë herë në portë, por nuk e kam gjetur ende golin e parë, ndaj shpresoj që të kem fatin me vete këtu te Napoli’’.

Moduli- “Kam luajtur shumë herë në karrierën time me mbrojtje me katër futbollistë, madje edhe te përfaqësuesja e Kosovës luaj ashtu. Nuk do të jetë problem për të mua të përshtatem me një sistem të tillë në mbrojtje. Mbrojtës i majtë? Kam luajtur edhe mbrojtës i majtë në shtatë ndeshje të Europa League kur isha pjesë e Dinamo Zagreb. Mund të luaj edhe si anësor i majtë, nëse trajneri dëshiron. Jam plotësisht në dispozicion të Gattusos për të luajtur ku të dojë ai”, u shpreh Rrahmani.

I transferuar në Serinë A një vit më parë, nga Dinamo e Zagrebit te Verona, mbrojtësi bëri paraqitje mjaft të mira gjatë sezonit dhe bindi Napolin që të blejë kartoni ne tij që në muajin janar dhe ta lërë në huazim te Verona deri në fund të sezonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë