Lojëra me Dore

Roxher Federer rikthehet me fitore pas 405 ditësh, mund Evans në tre sete

Pas 405 ditësh, ja ku rishfaqet Roxher Federer para publikut të Dohas, i veshur me jeshile. Të gjithë në radhë për autografë dhe foto me zviceranin. Një event i shumëpritur, që edhe kolegët e tij nuk duan ta humbin. Federer ia shpërblen publikut me një ndeshje prej dy orësh e 25 minuta ndaj Daniel Evans, numrit 28 në botë, të cilin e mundi 7-6, 3-6, 7-5.

Shishet dhe peshqirët te cepi, siç ka bërë miliona herë, por këtë radhë është ndryshe, është diçka speciale për atë që kthehet në moshën 40-vjeçare, pas dy operacionesh në gjurin e djathtë. Bota e tenisit e pret prej 1 viti, 1 muaji dhe 11 ditësh. Roxher Federer është kthyer nga numri 6 në numrin 250, ideal për të për të mos pasur presion.

Roxher Federer. Gazeta Si, 10 mars 2021

Federer merr i pari shërbimet dhe pika e parë është e tij. Fiton gejmin e parë, vrapon drejt mbledhësit të topave për të marrë peshqirin, kthehet menjëherë prapa dhe kërkon ndjesë. Është hera e parë që luan në pandemi, ku edhe tenisi është adaptuar. Lëviz mirë dhe trajneri Ivan Ljubiçiç, i cili e ka fituar turneun në 2007-ën, e sheh i kënaqur. Ndeshja rrjedh lirshëm, me Evans që mbrohet nga sulmet e kampionit të 20 Slam-eve.

Seti i parë i Federerit pas më shumë se një viti shkon me tie break, i 700-ti në karrierë. Set point-i i parë është për Evans, por zvicerani barazon shpejt dhe pastaj e mbyll 10-8 me një gjuajtje të mrekullueshme alla Federer.

Në setin e dytë vihen re shenja lodhjeje te Federer dhe kjo është normale. Zvicerani bën disa gabime dhe e humb këtë set 3-6. Edhe në setin e tretë ka disa gabime, por loja është më e ekuilibruar. Federer ka mundësinë e match point-it, që anulohet nga britaniku. Barazim dhe spektakël, 2 match point të tjera për Federer, që ia del në fund dhe kalon turin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë