Nga fjalët, te veprat. Ndërsa te Barcelona po luhet një ndeshje e fortë “shahu” mes drejtuesve të klubit dhe Lionel Mesit, pretendentët për të pasur yllin argjentinas në ekip po dalin zbuluar. Secili ka “armët” e veta, ka thjesht ëndrra, por edhe hipoteza konkrete.
Të ëndërrosh nuk të kushton asgjë dhe tifozët e Newell’s në Argjentinë po provojnë me të gjitha mënyrat që munden për ta bindur Mesin të luajë për skuadrën e tyre. Ata nuk i plotësojnë dot kushtet ekonomike të “pleshtit”, as që ia vlen të diskutohet. Po ashtu, Mesi synon të fitojë ende në Europë, por populli i Rosarios, të cilit Mesi i përket, po luan kartën e vetme që ka në dispozicion, atë të pasionit. Në Rosario është krijuar një karvan i gjatë tifozësh në rrugë, që marshojnë me moton: “ëndrra jote, dëshira jonë. Kjo është shtëpia jote”.

Janë me mijëra tifozë që i kërkojnë Mesit të kthehet në shtëpi dhe të veshë sërish fanellën e Newell’s, që e mbante që minoren, para se të shkonte te Barcelona. E vështirë, për të mos thënë e pamundur, por këta tifozë po e provojnë. Dhe duhet thënë se Mesi nuk ka qëndruar indiferent ndaj imazheve që vijnë nga Rosario.
Në anën tjetër, PSG-ja po bën disa lëvizje të shpejta për argjentinasin, duke synuar ta bëjë atë parisien. Sipas “TyC”, drejtuesit e klubit francez i kanë bërë një ofertë të jashtëzakonshme sulmuesit për t’ia rrëmbyer atë Mançester Sitit dhe Guardiolës, që duken më pranë për momentin. Portali argjentinas bën me dije se Leonardo, drejtori sportiv i PSG-së, i ka bërë një propozim monstruoz Barcelonës, me shifra më të larta se ato të Sitit.

Gjithashtu, rroga që i është propozuar Mesit është më e lartë se ajo që ai merr aktualisht te Barecola, rreth 50 milionë euro. Janë llogari që nuk dalin në fakt, po të kemi parasysh “fair-play”-in financiar, por në Argjentinë janë të bindur se sheiku Al-Khelaifi e do me çdo kusht Mesin për ta bërë bashkë me Nejmar dhe Mbape.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




