Këngëtarja Ronela Hajati që këtë vit do të përfaqësojë vendin tonë në Festivalin Europian të Këngës – “Eurovision”, ka publikuar versionin final të këngës konkurruese.
Kënga “Sekret”, që dominoi në finalen e 29 dhjetorit që lamë pas në Festivalin e 60-të të Këngës në RTSH tashmë është publikuar edhe me videoklip të shoqëruar me performanca dhe veshje unike të Hajatit.
Ndërsa tekstin dhe melodinë e këngës e ka bërë vetë Ronela.
Në dallim nga versioni i interpretuar në Festivalin e Këngës së RTSH-së, kësaj radhe, Ronela, ka ndërhyrë në gjuhën e vargjeve, teksa ka sjellë një përzierje në mes të shqipes dhe anglishtes.
Në videoklip, Ronela shfaqet e veçantë dhe duket sikur frymëzimin e ka gjetur nga kohërat antike. I gjithë videoklipi vjen në formën e një filmi të shkurtër.
“Eurovision 2022” do të mbahet në “Pala Olimpico Arena”, të Torinos në datat 10 dhe 12 (netët gjysmëfinale) dhe 14 maj (nata finale).
Kënga “Sekret” (që aludon për një marrëdhënie) u interpretua me një koreografi komplekse në netët e festivalit në RTSH, ku një sërë balerinësh u ngjitën në skenë.
Ronela do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, pas Anxhela Peristerit në Roterdam vitin e kaluar.
Fituesi i këtij viti u përcaktua nga një juri me fituesen e Festivalit të Këngës 2020 dhe pjesëmarrësen e Shqipërisë në Eurovizion 2021, Anxhela Peristeri, së bashku me Agim Doçin, Anxhela Faber, Osman Mula, Rozana Radin, Olsa Toqin dhe Olti Currin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.