Futboll

Ronaldo nuk luajti në miqësore, tifozët koreanë marrin dëmshpërblim

Kishin blerë bileta për ta parë nga afër idhullin e tyre, Cristiano Ronaldo, por miqësoren e fundkorrikut, të luajtur në Seul midis Juventusit dhe K League (3-3), para 65 mijë spektatorëve, fenomeni portugez e ndoqi në stol. As edhe një minutë në fushë, për shkak të lodhjes së muskujve. Dhe kështu filloi menjëherë procesi gjyqësor, nga tifozët vendas, të cilët ndiheshin të mashtruar.

Tani në ndihmë të tyre vjen lajmi se një gjykatës në Korenë e Jugut, ka detyruar agjencinë lokale “Fasta”, që shiti biletat, t’i kompensojë tifozët që nuk e panë duke luajtur CR7. Gjykata e Incheon urdhëroi organizatorët e miqësores  t’iu paguante atyre ekuivalentin prej 282 € secili. Por, nuk mbaron me kaq, sepse tifozë të tjerë i janë drejtuar gjykatës së Seulit, e cila nuk është shprehur ende. Nga ana tjetër, asnjë masë nuk është marrë kundër Ronaldos apo Juventusit. Megjithatë, padia ishte ngritur kundër agjencisë “Fasta”.

Promovuesi i ndeshjes akuzohet për mashtrim në shifrat rreth 4.4 milionë euro. Sipas prokurorisë, gjatë shitjes së biletave, “Fasta” pretendonte se kishte një klauzolë me Juventusin, që garantonte praninë e Ronaldos në fushë për të paktën 45 minuta. Biletat (që varionin nga 23 deri në 300 euro), u shitën brenda një kohe të shkurtër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë