Futboll

Ronaldo golashënuesi më i mirë në histori? Federata Çeke kundërshton rekordin e portugezit

Cristiano Ronaldo shënoi në ndeshjen e fundit ndaj Napolit dhe përveç se fitoi Superkupën e Italisë, arriti shifrën e 760 golave dhe theu rekordin e Josef Bican, dhe për shumë medie botërore, u bë shënuesi më i mirë i historisë së futbollit, pasi kishte parakaluar Pele ditë më parë. Por ky rekord është hedhur poshtë.

Federata Çeke e Futbollit pretendon se Josef Bican ka shënuar 821 gola në ndeshje zyrtare dhe jo 759, që do të thotë se sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo nuk e ka thyer rekordin e tij. Në një raport të tyre të publikuar së fundmi Federata e Çekisë pretendon se Bican ka shënuar 821 gola dhe jo aq sa njeh FIFA dhe OPTA. Sipas tyre Ronaldos i duhen edhe 62 gola për të parakaluar Bican në këtë renditje. “Komiteti i Historisë dhe Statistikave të FA Çeke numëroi të gjithë golat e shënuar nga legjendari Josef Bican dhe ne mund të deklarojmë se ai shënoi 821 gola në ndeshjet zyrtare”, thuhet në videon e publikuar në Twitter nga federata çeke.

Josef Biscan ka luajtur në vitet 1931-1955 me klubet Rapid Viena, Admira, Slavia Prague, Vitkovice, Hradeç Kralove dhe Dinamo Prague, ndërsa ka përfaqësuar Austrinë, Çekosllovakinë dhe Bohemi/Moravën. Ai vdiq në 12 dhjetor të vitit 2001 në moshën 88-vjeçare.

Në anën tjetër edhe legjenda braziliane Pele këmbënguli në fillim të këtij muaji, kur Ronaldo shënoi golin e tij të 758-të, se ai nuk ishte mundur ende, duke shkruar se numri i golave të tij është 1,283 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë