Futboll

Ronaldinjo s’e pëlqen më futbollin e sotëm: Shoh vetëm disa momente

Gazeta Si – Braziliani i njohur nuk e pëlqen shumë futbollin e sotëm. Ronaldinjo ka thënë se nuk sheh më ndeshje, por vetëm momentet më të bukura të tyre, ato më spektakolare. Dhe nuk mund të ishte ndryshe.

Ronaldinjo ka luajtur me klubet më të mëdha në botë, ku niveli ka qenë shumë i lartë. Është mësuar të fitojë gjithçka edhe me Brazilin dhe të luajë një futboll spektakolar. Për këtë arsye e ka të vështirë të pranojë një futboll ndryshe.

Ish-futbollisti i famshem brazilian, Ronaldinjo. Gazeta Si, 13 korrik 2022

Një futboll më shumë fizik se teknik. Braziliani, duke folur për ‘France Football’, ka shpjeguar se nuk arrin të ndjekë një ndeshje të plotë në futbollin e sotëm. Ai mjaftohet duke parë momentet më interesante të ndeshjeve.

Në kohën e tij Ronaldinjo bënte lojë individuale, tregonte forcën, por edhe i shërbente skuadrës. Një futboll i lirë.

“Loja nuk është më e shpejtë dhe jo impenjative. Tani është çështje taktike, lojtarët në fushë kanë më pak liri të shprehen. Unë nuk jam tipi që sheh 90 minuta ndeshje. Më mjafton vetëm përmbledhja e rasteve më të mira”, – ka thënë ish-lojtari i Barcelonës dhe Milanit.

Ndryshe ndodh me kombëtaren braziliane, që për të ka më shumë interes dhe e ndjek me emocione. “Nejmar u bë trashëgimtari im te Brazili. Më ngjan më shumë nga të gjithë. Në disa momente duket dhe si Ronaldo. E dua, është lojtar i madh. Ka gjithçka për të fituar ‘Topin e Artë’.

Duhet të fitojë Championsin që t’ia dalë. Nejmar është lojtari ynë më i rëndësishëm, idhulli i gjithë brazilianëve. Luan me kurajë dhe kërkon gjithmonë të driblojë. Është kënaqësi ta shohësh në fushë”, – ka përfunduar Ronaldinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë