Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldinho, sheh ngjashmëri midis Gabriel Martinellit dhe Ronaldos. 18-vjeçari bëri kërcimin e madh nga niveli i poshtëm i futbollit brazilian në Premier League, verën e kaluar, me transferimin nga Ituano te Arsenali. Ka shënuar 10 gola në 21 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, e vetmja gjë pozitive gjatë një sezoni të vështirë për “Topçinjtë”.

“Ne si brazilianë jemi shumë të entuziazmuar për të dhe të ardhmen e tij. Është një gjë të kesh talent, dhe tjetër të kesh besim në moshën 18 vjeçare, – tha Ronaldinho për “Mirror”, për bashkatdhetarin e tij. – Ai më kujton Ronaldon, gjatë sezonit të tij të parë në Europë, kur shënoi 30 gola dhe njerëzit pyesnin me habi: cili është ky djalosh 18-vjeçar brazilian? Ai e donte topin, vraponte e përplasej me kundërshtarët, nuk kishte frikë, pa marrë parasysh se kundër cilëve lojtarë apo skuadre po luante dhe shoh një qëndrim të ngjashëm te Martinelli. Ai thjesht dëshiron të ketë topin dhe të shënojë gola. Ronaldo vazhdoi të ishte lojtari më i mirë në botë për vite të tëra, ky duhet të jetë qëllimi i Martinelli”.
Marinelli duhet të presë ende për të debutuar me Brazilin, teksa gjigantët e Amerikës së Jugut kanë na ekip lojtarë si Neymar, Gabriel Jesus dhe Roberto Firmino. Ronaldinho këmbëngul se ai do të jetë në planet e trajnerit Tite shumë shpejt: “Jam i sigurt se thirrja e tij në kombëtare do jetë e afërt. Historikisht, ekipi ynë kombëtar nuk ka qenë kurrë i shqetësuar për moshën. Ronaldo luajti vetëm 17 vjeç. Së fundi, edhe Neymar me Jesus kanë luajtur me kombëtaren, që kur ishin “adoleshentë”. Nëse keni aftësi dhe talent, atëherë ju do keni një shans dhe bota mund ta shohë se Martinelli ka talent të pastër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




